Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se kanë mbërritur në Shqipëri, çfarë dimë deri tani për variantet e reja të koronavirusit


Variante të reja të koronavirusit po shfaqen në vende të ndryshme të botës, e duket se janë më infektive sesa ai që filloi pandeminë.

Njëra nga këto, i gjetur për herë të parë në Kent, në Britani, mund të bëhet lloji dominues i botës. Të paktën kështu ka parashikuar shefja e programit të mbikëqyrjes gjenetike të Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkohë, siç shkruan BBC ka shqetësime se vaksinat mund të mos funksionojnë aq mirë kundër disa varianteve të reja.

Cilat janë këto variante të reja?

Shkencëtarët janë të fokusuar kryesisht në tre variante:

  • -Një variant i Mbretërisë së Bashkuar, që tani është dominues në pjesën më të madhe të Britanisë dhe është përhapur në më shumë se 50 vende të tjera dhe duket se po pëson përsëri mutacione. Britania e Madhe po rrit testimin për të gjetur dhe ndaluar përhapjen e rasteve.
  • -Një variant i Afrikës së Jugut, që gjendet në të paktën 20 vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
  • -Një variant nga Brazili.

A ka mbërritur në Shqipëri ndonjë nga variantet e reja?

Këtë nuk mund ta themi me siguri, por ka dyshime që PO. Fillimisht ishte nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku ai që ngriti dyshimet pak javë më parë, ku në një intervistë televizive ai tha se në vendin tonë po qarkullon një lloj i ri i virusit.

Më pas kjo u konfirmua dhe nga Kreu i Urgjencës Skënder Brataj, gjithashtu në një intervistë televizive, derisa këto dyshime u bënë më në fund zyrtare nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një Konferencë për Mediet.

Dy ditë më parë, doktoreshë Silva Bino deklaroi se Instituti i Shëndetit Publik ka dërguar në Londër për të ekzaminuar 50 monstra, për të parë nëse një qytetar është prekur me mutacionet e reja të COVID-19. Ajo theksoi se dyshohet për variantin britanik dhe atë afrikan.

Kjo situatë, bashkë me një rritje të numrit të rasteve të infeksionit dhe të viktimave gjatë dy javëve të fundit në vendin tonë, çuan dhe në një shtrëngim të masave. Përgjigja nga laboratori në Londër nuk ka mbërritur ende për ta konfirmuar se cili variant i koronavirusit është duke qarkulluar në vendin tonë.

A janë variantet e reja më të rrezikshme?

Nuk është e papritur që variante të reja të koronavirusit janë zhvilluar – të gjitha viruset pësojnë mutacione ndërsa bëjnë kopje të tyre për t’u përhapur.

Shumica e këtyre ndryshimeve janë të paqëndrueshme. Disa madje mund të jenë të dëmshëm për mbijetesën e virusit. Por disa mund ta bëjnë atë më infektiv ose kërcënues.

Nuk ka asnjë provë se ndonjë prej varianteve që po qarkullojnë aktualisht, shkakton sëmundje shumë më serioze për shumicën dërrmuese të njerëzve që infektohen.

Ashtu si me versionin origjinal, rreziku është më i lartë për njerëzit që janë të moshuar ose kanë kushte të konsiderueshme themelore shëndetësore.

Për variantin në Mbretërinë e Bashkuar ka disa hulumtime që sugjerojnë se mund të shoqërohet me një rrezik 30% më të lartë të vdekjes, shkruan BBC. Por provat nuk janë të forta dhe të dhënat janë ende të pasigurta.

Masa të tilla si larja e duarve, mbajtja e distancës nga njerëzit e tjerë dhe mbajtja e një maske fytyre do të ndihmojnë ende në parandalimin e infeksioneve. Për shkak se variantet e reja duket se përhapen më lehtë, është e rëndësishme të kemi një vigjilencë më të shtuar.

Çfarë po ndodh me virusin?

Siç shkruan Reuters, ekzistojnë tre variante kryesore të njohura që shqetësojnë shkencëtarët: varianti i Afrikës së Jugut, i njohur nga shkencëtarët si 20I / 501Y.V2 ose B.1.351; varianti britanik i njohur si 20I / 501Y.V1 ose B.1.1.7; dhe varianti brazilian i njohur si P.1.

Variantet e Mbretërisë së Bashkuar, Afrikës së Jugut dhe Brazilit mund të jenë shumë më ngjitëse ose më të lehta për t’u infektuar.

Të tre kanë pësuar ndryshime në proteinën e tyre spike – pjesën e virusit që bashkohet me qelizat njerëzore. Si rezultat, ata duket se janë më të mirë në infektimin e qelizave dhe përhapjen e tyre.

Ekspertët mendojnë se lloji i Mbretërisë së Bashkuar ose i “Kentit” që u shfaq në shtator, mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm ose infektiv, shkruan BBC.

Varianti i Afrikës së Jugut u shfaq në tetor, dhe ka ndryshime më potencialisht të rëndësishme në proteinën spike.

Kjo përfshin një mutacion kyç – të quajtur E484K – që mund të ndihmojë virusin të shmangë pjesët e sistemit imunitar të quajtur antitrupa.

Varianti i Brazilit u shfaq në korrik dhe ka gjithashtu këtë mutacion E484K.

Më poshtë mund të lexoni informacione më të thelluara për dy variantet që dyshohet se po qarkullojnë në Shqipëri.

Varianti britanik

Varianti i koronavirusit i identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar ka të ngjarë të bëhet forma mbizotëruese e virusit në të gjithë botën, tha të enjten drejtoresha e programit të mbikëqyrjes gjenetike të Britanisë. Ajo parashikoi gjithashtu që shkencëtarët do të kërkonin për mutacione të reja potencialisht të rrezikshme të virusit për dhjetë vitet e ardhshme.

Profesoresha Sharon Peacock, tha se varianti tani dominues në Mbretërinë e Bashkuar kishte “përfshirë vendin” dhe gjithashtu “do të përfshijë botën”.

Studimet kanë treguar se ky variant është dukshëm më infektues sesa llojet ekzistuese dhe potencialisht më vdekjeprurës.

Për momentin duket se vaksinat aktuale po punojnë kundër variantit të Mbretërisë së Bashkuar, megjithatë profesoreshë Peacock tha se mutacionet e reja mund të jenë “veçanërisht problematike me vaksinat”.

“Ajo që është më shqetëson në lidhje me këtë është se varianti që ka qarkulluar për disa javë dhe muaj ka filluar të pësojë mutacione përsëri të cilat mund të ndikojnë në mënyrën se si e trajtojmë virusin në aspektin e imunitetit dhe efektivitetit të vaksinave”- tha Peacock për BBC-në.

Këshilltari kryesor shkencor i Britanisë, Patrick Vallance, tha se varianti i Bristolit kishte një nga të njëjtat mutacione si ai në Afrikën e Jugut. “Nuk është për t’u habitur që kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në vende të tjera.”- tha ai të Mërkurën, citon Reuters.

KryeministriBoris Johnson tha se britanikët duhet të presin që të marrin vaksina të përsëritura kundër COVID-19 në të ardhmen, për të ecur me hapin me mutacionet e virusit.

Varianti i Afrikës së Jugut

Ky variant i koronavirusit u pikas parë për herë të parë në Afrikën e Jugut në muajin tetor të vitit 2020. Që nga ajo kohë, është zbuluar në të paktën 30 vende të tjera.

Është shumë herët për ta thënë nëse ky variant i koronavirusit është i rrezikshëm, por mund të jetë më e vështirë për mjekët që t’ju ndihmojnë ta trajtoni atë. Disa teste sugjerojnë se variantet e Afrikës së Jugut dhe Brazilit mund të jenë më pak të ndjeshëm ndaj ilaçeve të antitrupave ose gjakut të pasur me antitrupa nga të mbijetuarit e COVID-19.

Hulumtimi i kufizuar aktualisht në dispozicion tregon se variantet e reja që janë identifikuar deri më tani nuk janë më vdekjeprurëse, sipas CDC-së në SHBA. Por ato janë më ngjitëse, gjë që mund të çojë në më shumë raste. Më shumë raste mund të çojnë në më shumë shtrime në spital dhe, potencialisht, në më shumë vdekje.

Ekspertët paralajmërojnë se ky variant mund të ketë një ndikim në efikasitetin e vaksinave aktuale që janë në dispozicion, por testimet vazhdojnë.

Shkencëtarët e UTMB-Galveston testuan gjakun e njerëzve të vaksinuar me vaksinën Pfizer kundër llojeve të ndryshme. Studiuesit zbuluan se më pak antitrupa neutralizues janë prodhuar në variantin e Afrikës së Jugut krahasuar me llojin tjetër të testuar.

“Ne e dimë, nga laboratori, se shumë prej këtyre vaksinave nuk po funksionojnë aq mirë kundër variantit të Afrikës së Jugut.”– tha Dr. Hana El Sahly me Baylor College of Medicine, citon Abc13.com.

Çfarë thotë OBSH?

Në një video-intervistë të publikuar  nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkencëtarja Soumya Swaminathan pranon se variantet e koronavirusit janë më të lehta për t’u transmetuar se sa virusi origjinal.

“Nga fillimi i vitit, ne e kemi ndjekur këtë virus dhe e dimë që ai ka kaluar nëpër shumë ndryshime dhe ka pasur variante më parë. Tani këtë kohë të veçantë ka pasur dy variante të veçanta që janë raportuar në OBSH. Një u identifikua në Mbretërinë e Bashkuar dhe një u identifikua në Afrikën e Jugut. Ata kanë një ndryshim të përbashkët, ne e quajmë atë mutacioni N501Y. Por përveç kësaj, të dy janë të ndryshëm. Dhe arsyeja që ka shqetësim është se të dyja këto variante u shoqëruan me një rritje të numrit të rasteve në të dyja këto vende.”– thotë Dr.Swaminathan.

Pavarësisht se janë më infektive, studiuesja thotë se nuk ka prova se ato shkaktojnë ndonjë sëmundje më të rëndë se versionet e tjera.

“Shkencëtarët tani e kanë studiuar këtë dhe kanë zbuluar se këto variante tentojnë të përhapen më shpejt, ato janë më të transmetueshme ose më infektive. Pra, kjo është pjesa shqetësuese. Sidoqoftë, deri më tani, ato nuk duket se shkaktojnë sëmundje më të rëndë ose shkallë më të lartë të vdekjeve ose ndonjë lloj manifestimi të ndryshëm klinik. Duket se sillen si viruset e mëparshme dhe shkaktojnë një lloj sëmundje mjaft të ngjashme.”– shton ajo.

A do të funksionojnë akoma vaksinat?

Vaksinat aktuale u krijuan për versionet e mëparshme të koronavirusit, por shkencëtarët besojnë se ato ende duhet të funksionojnë kundër varianteve të reja, megjithëse ndoshta jo edhe aq mirë.

Rezultatet e hershme sugjerojnë se vaksina Pfizer mbron nga variantet e reja, por është pak më pak efektive, shkruan BBC.

Të dhënat për dy vaksinat e reja të koronavirusit që mund të aprovohen së shpejti, njëra nga Novavax dhe tjetra nga Janssen, duket se ofrojnë një mbrojtje më të mirë.

Ndërsa të dhënat nga ekipi i vaksinave Oxford-AstraZeneca sugjerojnë se ajo mbron po aq mirë nga varianti i ri në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ofron më pak mbrojtje ndaj variantit të Afrikës së Jugut – megjithëse duhet të mbrojë akoma kundër sëmundjeve të rënda.

Rezultatet e hershme nga vaksina e kompanisë Moderna sugjerojnë që vaksina e saj është efektive kundër variantit të Afrikës së Jugut, megjithëse përgjigjja imune mund të mos jetë aq e fortë apo afatgjatë.

Në të ardhmen mund të shfaqen përsëri variante më të ndryshme të koronavirusit.

Edhe në skenarin më të keq, vaksinat mund të ridizenjohen dhe të rregullohen për të qenë më efektive ndaj këtyre llojeve.

Ashtu si me gripin, ku çdo herë bëhen ndryshime në vaksina, diçka e ngjashme mund të ndodhë për koronavirusin.

VINI RE: Ky material mbështetet në artikuj të BBC, Reuters, ABC13 dhe WHO / Përshtati në shqip Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *