Vendosni fjalën kyçe....

Kryeparlamentari turk në Tiranë: Gati Konsullata Turke në Vlorë, do e çojmë në 1 miliardë USD shkëmbimin tregtar


Kreu i Asamblesë së Turqisë, Mustafa Sentop, ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare. Ai është takuar me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, krah të cilit kanë dalë më pas në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë fjalës së tij, Sentop u përqendrua tek organizata e konsideruar terroriste Feto. Ai u shpreh se Turqia nuk do të lejojë “kurrën e kurrës” që kjo organizatë të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Gjatë takimit që patëm me z.kryetar unë fola dhe për aktivitetin e organizatës terroriste Feto. Ashtu si në vende të ndryshme të Ballkanit, kjo organizatë terroriste është prezente edhe në Shqipëri. Kjo organizatë Feto është një organizatë që shkoi deri aty, sa të bombardojë edhe parlamentin e Turqisë, që ishte në seancë plenare. Në Turqi kjo organizatë është eliminuar në masë të madhe.

Por, nuk është vetëm Turqi objektivi i kësaj organizate terroriste tinëzare e nivelit ndërkombëtar. Kjo organizatë, ky grup terrorist, për të realizuar qëllimet e veta, e maskon aktivitetin me institucione arsimore, në shëndetësi, media e shoqata të ndryshme. Të gjitha vendet ku ajo vepron përbën një rrezik për sigurinë e atyre vendeve. Por dua të them që ne nuk do ta lejojmë kurrën e kurrës që kjo organizatë terroriste të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare përbëjnë një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.”– tha Sentop.

Po ashtu ai dha lajmin se së shpejti Turqia do të hapë një konsullatë të sajën në qytetin e Vlorës. Kryeparlamentari turk tha gjithshtu se synon ta çojë shkëmbimin tregtar mes dy vendeve në 1 miliard dollarë.

“Momentalisht shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona janë rreth 500 milionë euro. Investimet turke në Shqipëri kapin vlerën e rreth 3.5 miliardë dollarë. Jemi të vendosur për ta ngritur këtë shkëmbim tregtar në nivelin e 1 miliard dollarëve brenda disa viteve.

Kemi dëshirë dhe synojmë t’i rrisim e zgjerojmë investimet tona në Shqipëri, në veçanti në sektorin e turizmit. Kanë përfunduar procedurat për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Vlorë dhe kështu do të kemi një kontribut në zhvillimin e turizmit në jugun shqiptar. Uroj që kjo vizitë të jetë e dobishme dhe të japë rezultate në dobi të interesit të marrëdhënieve tona.”- deklaroi kreu i Asamblesë së Turqisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *