Vendosni fjalën kyçe....

Basha, ulja e taksave dhe profetët e apokalipsit


Nga Klodian Tomorri

Ekonomistët tani kanë gjetur një hobi të ri. Me tabela në dorë kanë mësyrë studio e televizoneve dhe po u tregojnë qytetarëve se si ulja e taksave, që ka propozuar Partia Demokratike, do të rrënojë financat e shtetit dhe do ta çojë Shqipërinë në falimentim buxhetor. Disa thonë se masat e propozuara në programin e PD-së do të sjellin një deficit të ardhurash të paktën 700 milionë euro në vit. Të tjerë përllogarisin se të hyrat e buxhetit do të tkurren me 1 miliardë euro në vit, dmth më shumë se 25 për qind nga niveli aktual. Gjëma po afron.

Nga jashtë e gjitha duket si një garë; kush e di më mirë tabelën e shumëzimit. Por ekonomia nuk është matematikë mekanike. Numrat nuk janë statikë, ndaj të përllogarisësh rënien e të ardhurave thjesht duke shumëzuar shkallën e propozuar të uljes me bazën aktuale është njësoj si të thuash që pesha e njeriut është e barabartë si në Tokë ashtu dhe në Hënë.

Shumica e atyre në të majtën e spektrit politik nënvlerësojnë një fakt thelbësor. Uljet e taksave, në një masë domethënëse, shlyejnë veten. Për ta vërtetuar këtë nuk ka nevojë të hysh nëpër librat e ekonomiksit, as në eksperiencën e vendeve të tjera. Thjesht shikoni Shqipërinë.

Në vitin 2008, qeveria e Sali Berishës e preu në gjysmë tatim-fitimin. Shkalla tatimore u ul nga 20 për qind që ishte, në 10 për qind. Në vitet 2006-2007, Shqipëria mblidhte mesatarisht 20 miliardë lekë në vit të ardhura nga tatim fitimi. Me tabelat e studiove, të ardhurat në vitin 2008 duhet të ishin përgjysmuar në 10 miliardë lekë. Por gjëma nuk ndodhi.

Edhe pse taksa u përgjysmua, të ardhurat nga tatim fitimi në vitin 2008 ishin 18 miliardë lekë duke rënë me vetëm 14 për qind krahasuar me vitin paraardhës. Pra, për ta thënë shkurt, ulja e taksave pagoi 86 për qind të vetes. Kujtoni Lafferin!

Logjika se pse ulja e taksave nuk reflektohet në të njëjtën masë në rënien e të ardhurave është shumë e thjeshtë. Kur qeveria ul taksat, bizneset rrisin aktivitetin ekonomik. Investojnë më shumë, punësojnë më shumë njerëz, japin rroga më të larta. E gjitha kjo krijon një spirale pozitive në ekonomi, e cila sjell më shumë të ardhura në buxhet.

Përtej kurbës së Lafferit, ka dhe një rezervë tjetër. Ky është evazioni. Shqipëria është sot një nga vendet me barrën më të lartë fiskale në rajon. Por të ardhurat që qeveria jonë mbledh në buxhet në raport me Prodhimin Kombëtar, janë më të ulëtat. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e ekonomisë, qarkullon jashtë ombrellës fiskale. Dhe ky është një burim tjetër të ardhurash, i cili mund të shfrytëzohet më lehtë me uljen e barrës fiskale.

Këto janë dy të vërteta. Por ka edhe dy sfida. E para, rregulli që ulja e taksave paguan veten mban kryesisht për taksat direkte dhe veçanërisht ato që vendosen mbi të ardhurat. Nuk funksionon në të njëjtën mënyrë tek taksat indirekte. Në këtë pikë, çdo propozim për të ulur taksën e qarkullimit apo çdo taksë tjetër mbi konsumin duhet të shqyrtohet me kujdes. Partitë nuk duhet të jenë robër të premtimeve që bëjnë në kohët kur nuk kanë asgjë për të thënë.

Sfida e dytë lidhet me drejtësinë sociale. Përfituesit më të mëdhenj të uljes së tatim fitimit do të jenë pikërisht ata që sot opozita i cilëson si oligarkët e qeverisë. Dhe kjo ngre një pyetje të madhe, a duhet Shqipëria të ulë taksat për bizneset, të cilat jo vetëm që nuk prodhojnë vlerë të shtuar në ekonomi, por konsumojnë tortën falë avantazheve të dhëna nga qeveria. Këto janë koncesionet, të cilat duhet të paguajnë më shumë, jo më pak. Ndaj, pa një mekanizëm ligjor, që i veçon koncesionet nga bizneset e tjera, ulja e tatim fitimit do të jetë e pamoralshme. Dhe mekanizmi antimafia, më shumë se një instrument që e zgjidh këtë sfidë, është një dëshirë.