Vendosni fjalën kyçe....

Covidi i merr jetën piktorit Mustafa Arapi, e bija i kërkonte ndihmë Ramës disa ditë më parë


Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare piktori Mustafa Arapi. Mësohet se Arapi ishte prej ditësh i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi ishte i prekur nga koronavirusi. Mirëpo për fat të keq ai nuk ka mundur dot ta fitojë betejën me smëundjen infektive.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur për publikun vajza e piktorit, Dorina Arapi.

“Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht!“– shkruan ajo në një postim në Facebook.

Vetëm pak ditë kanë kaluar nga momenti kur Dorina Arapi kërkonte ndihmën e qeverisë, për shëndetin e babait të saj. Ajo vinte në dukje cilësitë e babait të saj, duke e parë atë si vlerë të kulturës shqiptare.

“Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.

Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!

Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare.

Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.

Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen!

Shpërndajeni këtë mesazh,.. kush dëshiron.”– shkruante ajo me 17 janar, me shpresën se kjo do t’i tërhoqete vëmendjen kryeministrit.

Mustafa Arapi është diplomuar në Universitetin e Arteve në degën e pikturës në vitin 1979 dhe që pas studimeve ka punuar për vite me radhë si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Ai ka dhënë mësim në Akademinë e Arteve për disa vite, ndërsa ka qenë edhe shef i Departamentit të Punëve në Institutin e Monumenteve të Kulturës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *