Vendosni fjalën kyçe....

Nis ndërtimi i 524 banesave të dëmtuara nga tërmeti në Laç, Erdogan: Shenjë e miqësisë mes dy vendeve


Kryeministri Rama ka qenë sot në Laç për nisjen e punimeve të ndërtesave të reja për banorët që ngelën të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kreu i qeverisë tha se zona 1 e lagjes së re do ndërtohet nga qeveria turke ndërsa zona 2 nga ajo shqiptare.

Po kështu Rama falënderoi presidentin e Turqisë Erdogan për solidaritetin e treguar pas tërmetit të rëndë që goditi vendin dhe për ndihmën e menjëhershme.

“Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve europiane. Jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin që Republika e Turqisë dhe Erogan kanë shprehur që në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit,dhe po ashtu edhe fjalën e mbajtur të presidentit dhe të miqve tanë turq. Lagjja e re e ndarë në dy zona, njëra zonë që po ndërtohen nga themelet falë Turqisë dhe zona tjetër që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohen nga ne, por është një lagje, një lagje simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit që do jetë për kohët që vijnë si dëshmie e kësaj marrëdhënie të veçante mes dy vendeve.

Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para, por angazhuan forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat dhe kam pasur privilegjin që t’i takoj forcat e kërkim shpëtimit dhe të shikoja nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin që djemtë e ardhur nga Turqia shpëtuan jetë shqiptare duke mos lejuar që gërmadhat t’i merrnin me vete. Më pas presidenti Ergdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik në një event të madh që ka apeluar përsolidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e 500 apartamenteve.” – tha Rama.

Nisjen e punimeve e përshëndeti edhe presidenti i Turqisë, Erdogan, nëpërmjet një videomesazhi. Kreu i shtetit turk tha se Shqipëria është miku e partneri i afërt i Turqisë në Ballkan dhe se ndihma është një tjetër shenjë e miqësisë mes dy vendeve.

“I nderuar miku im, të nderuar ministra, të nderuar vëllezërit e mi të çmuar në Laç. Ju përshëndes me ndjenja më të përzemërta. Me rastin e kësaj ceremonie ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju. Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë. Pas tërmetit ne kemi dërguar 4 maune me ndihma humanitare. Pas katastrofës ne ofruam edhe mundësinë për të ndërtuar shtëpitë pavarësisht pandemisë.

Në gusht filluan punimet dhe sot po organizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa. Shpresoj që ky projekt që përfshin 524 banesa, 42 milionë euro, të jetë i dobishëm dhe i hajrit.  Shenjë e re e miqësisë. Shpresojmë që shtëpitë tua dorëzojmë sa më parë vëllezërve tanë shqiptarë që u dëmtuan.  E lus Zotin tim që të na mbrojë. E përshëndes z. Rama dhe personalisht dua ta falënderoj për kontributin që ka dhënë.” – tha ndër të tjera Erdogan.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *