Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria ndalon çiftet homoseksuale të birësojnë fëmijë


Parlamenti hungarez ka miratuar një ligj që ndalon çiftet e të njëjtit seks të birësojnë fëmijë.

Legjislacioni i paraqitur nga qeveria e djathtë e kryeministrit Viktor Orban thotë se vetëm çiftet e martuara mund të birësojnë. Përjashtime bëjnë vetëm rastet kur janë të afërmit e vetëm të fëmijës.

Martesa e të njëjtit seks është e paligjshme në Hungari, por birësimi ka qenë i mundur nëse një partner aplikonte i vetëm.

Disa shoqata e quajtën këtë “një ditë e errët për të drejtat e njeriut”.

Cilat janë rregullat e reja?

Orban ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në kushtetutën hungareze që nga ardhja në pushtet në vitin 2010.

Një ndryshim i miratuar gjithashtu të martën përcakton familjen si “bazuar në martesë dhe marrëdhënien prind-fëmijë. Nëna është një grua, babai një burrë”.

Çiftet e të njëjtit seks tani nuk do të jenë në gjendje të birësojnë, edhe nëse njëri prej tyre aplikon si një person i vetëm.

“Rregulli kryesor është që vetëm çiftet e martuara mund të birësojnë një fëmijë, domethënë një burrë dhe një grua e martuar.”– tha Ministrja e Drejtësisë, Judit Varga, citon BBC.

Beqarët tani do të kërkojnë miratim të veçantë nga qeveria për të birësuar.

Prindërit duhet të rrisin fëmijët e tyre në një frymë konservatore, thuhet tani në kushtetutë.

“Hungaria mbron të drejtën e fëmijëve për t’u identifikuar me gjininë e tyre të lindjes dhe siguron edukimin e tyre bazuar në identitetin kushtetues të kombit tonë dhe vlerat e bazuara në kulturën tonë të krishterë.“- thuhet më tej.

Qeveria hungareze thotë se ndryshimet janë të nevojshme pasi “proceset e reja ideologjike në Perëndim” e kanë bërë të domosdoshme “mbrojtjen e fëmijëve kundër ndërhyrjeve të mundshme ideologjike ose biologjike”.

Në maj, parlamenti i Hungarisë miratoi një ligj që ndalon personat transgjinorë të ndryshojnë seksin e vërejtur gjatë lindjes në dokumentet e tyre zyrtare.