Vendosni fjalën kyçe....

Irani ekzekuton gazetarin e akuzuar për nxitje të protestave të dhunshme


Ekzekutohet gazetari disident iranian Ruhollah Zam, i cili u dënua për nxitje të dhunës gjatë protestave anti-qeveritare të vitit 2017. Duke iu referuar televizionit shtetëror të Iranit, Reuters shkruan se gazetari Ruhollah Zam u ekzekutua të shtunën.

Gjykata e Lartë e Iranit të martën la në fuqi dënimin me vdekje të Zam, i cili u kap në vitin 2019 pas dy viteve në internim. Por Franca dhe grupet e të drejtave të njeriut e kishin dënuar vendimin e Gjykatës së Lartë.

Transmetuesi shtetëror raportoi se “drejtori i rrjetit kundërrevolucionar Amadnews, u var këtë mëngjes”. Por nuk jepen detaje të tjera.

Protestat që kishin nisur në fund të vitit 2017 ishin sfida më e madhe për pushtetin në Iran që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 dhe e përgatitën terrenin për kryengritje të ngjashme masive në nëntor të vitit të kaluar.

 Media e drejtuar nga Zam shpërndante video ku dëgjoheshin thirrje kundër presidentit Hassan Rouhani dhe kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Zam i cili është djali i një kleriku shi’it pro-reformues, iku nga Irani dhe iu dha azil në Francë.

Në tetor të vitit 2019, Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit thanë se e kishin bllokuar Zam në një “operacion kompleks të inteligjencës”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *