Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Xhaçka e përdori helikopterin për të shkuar në koncertin me këngë e valle të zonës (Video)


Partia Demokratike ka publikuar të tjera fakte lidhur me përdorimin e helikopterit nga ana e ministres së Mbrojtjes, Xhaçka.

Albana Vokshi tha sot se ministrja vijon të keqpërdorë pushtetin e të mos japë llogari për përdorimin e helikopterit për të shkuar në mbledhje partie në Dibër, çdo fundjavë.

“Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vazhdon të keqpërdorë pushtetin për të mos dhënë llogari pse ka marrë helikopterin ushtarak për të shkuar në mbledhje partie në Dibër. Ajo është drejtuese politike e Partisë Socialiste për këtë qark dhe pothuajse çdo fundjavë, ka shkuar në takimet partiake me helikopterin ushtarak. Olta Xhaçka është përpjekur të fshehë të vërtetën, pa iu përgjigjur asnjëherë pyetjes shumë të thjeshtë: Përse ka shkuar me helikopter ushtarak në mbledhje partie? Ne kemi publikuar datat, kur drejtuesja politike e Edi Ramës në Dibër ka përdorur helikopterin për të bërë fushatë.” – tha Vokshi.

Ajo shtoi më tej se vajtje-ardhjet e Xhaçkës në Dibër me helikopter u kushtojnë shqiptarëve 100 milionë lekë duke publikuar të tjera fakte lidhur me denoncimin në fjalë.

“Vajtje-ardhjet e saj në Dibër, vetëm për 2 muaj, kushtojnë mbi 100 milionë lekë. Sot, po publikojmë fakte të tjera, që provojnë se Olta Xhaçka udhëtoi në Dibër me helikopter për punët e partisë. Përshembull, në 3 tetor, Olta Xhaçka ka shkuar më Dibër me helikopter. Nuk ka patur asnjë stërvitje ushtarake, asgjë që lidhet me funksionin e saj si Ministre e Mbrojtjes. Llogaria në facebook e Kryetarit të Partisë Socialiste në Dibër e tregon Olta Xhaçkën më 3 tetor në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në këtë zonë. Janë edhe shumë raste të tjera. Në 10 tetor, një tjetër ditë, kur Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin, është postuar një takim tjetër me strukturat e Partisë Socialiste.” – shtoi Vokshi.

Sipas Vokshi, helikopteri ushtaral është përdorur edhe për të çuar ministren në takim me gratë socialiste, në inspektime për tenderat e bashkisë madje edhe për të shkuar në koncert me këngë e valle të zonës. Ndërkohë që qytetarët e vendit përballen me vëshitësi të rënda ekonomike.

“Kështu vazhdohet për çdo udhëtim me helikopter, takim me gratë socialiste, inspektime për tenderat e bashkive, madje helikopteri është përdorur për të shkuar në koncert me këngë e valle të zonës. Me të drejtë, qytetarët janë të revoltuar dhe kanë nisur të shprehin përbuzjen e ture në rrjetet sociale. Abuzimi me detyrën i Ministres së Mbrojtjes është flagrant, pasi ajo merr helikopterin për të shkuar në koncert, ndërsa njerëzit nuk kanë para të mbyllin muajin, blejnë blejnë ilaçe me lekë borxh, heqin fëmijët nga shkolla.” – theksoi Vokshi në denoncimin e bërë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *