Vendosni fjalën kyçe....

Murrizi përplaset me Spiropalin: Kujtoja se do ndërtonit shtëpi për të pastrehët, jo vila luksi


Janë përplasur për çështjen e Rindërtimit, ministrja Elisa Spiropalii dhe deputeti Myslim Murrizi.

Pasi ky i fundit bëri kritika lidhur me procesin e Rindërtimit, ministrja Spiropali u ngrit në Foltore për të numëruar fondet, planet dhe arritjet lidhur me këtë projekt, që e konsideroi një projekt model Rindërtimi dhe më të madhin të realizuar ndonjëherë nga një qeveri shqiptare.

Murrizi thoshte se me 420 milionë euro qeveria nga mars-prilli deri më tani do t’i kishte strehuar të 14 mijë familjet të cilat ngelën të pastrehë 26 nëntorin e shkuar.

Ai thotë se me kaq para mjaftonte nga një shtëpi 100 m2 për çdo familje. Por pas replikës së Spiropalit, Murrizi me një të folur që e karakterizon e ironizoi atë duke thënë se nuk e paska ditur se duan të ndërtojnë luks dhe jo shtëpi për shqiptarët.

 DEBATI:

Myslim Murrizi: “Akti normativ i qeverisë vjen për të marrë votëbesimin e Kuvendit, sanksionet për maskën, një detyrë e shtuar për Policinë e Shtetit, që në kohë pandemie ka qenë jo pak e ngarkuar.

Një vit më parë vendi  u godit nga tërmeti, 2 muaj më pas de fakto erdhi pandemia. Demagogjia dhe propaganda nga 12 marsi i 2020 deri më sot nuk ka lënë video pa nxjerrë në ekrane e portale vetëm e vetëm sepse mendjet e sëmura për karriget për pushtet kërkojnë që me xhenaze, me fatkeqët t’u gjenden sa më pranë qytetarëve shqiptarë.

Sa janë gjallë, i trajtojnë si xhahell, kur vdesin duan t’i ngjallin për një grusht votash më shumë. 14 mijë familje të pastreha, 300 milionë euro dhuratë në forumin e Brukselit.

850 milionë euro janë hua dhe borxhe po nga ai forum. 280 milionë euro deklaroi se ka miratuar në buxhet, po për rindërtimin. 720 milionë euro për ministrinë e shëndetësisë. Pra milionat e eurove marrin vulën në këtë sallë dhe dergjen në sirtarët e ministrave të tërmetit e të qametit. Bëhen rrush e kumbulla. Në prokurime pa garë, emergjente, të fshehta.

Nëse 14 mijë familjeve, do u jepej nga 100 m2 shtëpi, me 300 euro kosto e ndërtimit që është marrëveshje, do duheshin 420 milionë euro që ato 14 mijë familje të merrnin nga një shtëpi 100 m2, nga prilli-maji deri më sot.

1 miliardë e 350 milionë euro, i bie të ndërtoheshin 4 herë. Në cilin vend keni arritur të fusni familje brenda nga tërmeti, në Durrës, Thumanë, Vorë, Krujë? Ku?

Kur do i përdorni 1 miliardë e 150 milionë euro të ndërkombëtarëve, të shqiptarëve. Kur do hyjnë këta 14 mijë shqiptarë në banesa. Kur?

Si duket nuk është gjetur ustai që do filloijë të ndërtojë, të gllabërojë, të përfitojë. 700 milionë euro për ministrinë e shëndetësinë.”

Elisa Spiropali: “Zoti Murrizi e kuptoj retorikën politike të këtyre ditëve e të muajve përpara 25 prillit, por ju lutem të jeni të drejtë e të saktë.

Të jeni të sigurt se projekti i Rindërtimit është projekti më i madh social i ideuar ndonjëherë nga një qeveri shqiptare. Sepse bëhet fjalë për shtëpi, për njësi banimi falas, për pallate, lagje, infrastrukturë shoqëruese, ujësjellës e me radhë. Nuk është vetëm çështje shtëpiash që i marrin paratë në dorë dhe ndërtojnë vetë. JO.

Bëhet fjalë për një projekt model Rindërtimi.  Po ju them me përgjegjësi që familjet dhe shtëpitë që janë përcaktuar me dëme DS2 dhe DS 3 deri më tani 22 mijë persona kanë përfituar 9.8 miliardë lekë dëmshpërblime. Shkoni e pyesni kudo, në Vorë, në Kamëz, në Kavajë, në Shijak, në Lezhë, në LAç, në Tiranë, kudo… Me listë, me emër, me inventar.

Me qera janë 13 356 familje, për një fond 2.2 miliardë lekë. DS 4 dhe DS5 që janë ndërtesat që do prishen, banesa individuale dhe kolektive 4646 dhe aktualisht në fund të vitit janë 500 banesa që do jenë të ndërtuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të tjerë. Objekte arsimore 167.”

Myslim Murrizi: “Të falenderoj shumë zonja Spiroali. Ndoshta qenkam keqkuptuar unë që kam menduar se do ndërtonit banesa për të pastrehët. Ju paskeni bërë projekt për t’i bërë si vilat pas TEG-ut, apo ato matanë Llogarasë apo Gjiri i Lalëzit. Shpi duan shqiptarët, lërini dënglat se do ndërtoni Manhatan. Shpi kërkojnë shqiptarët, shpi. Edhe ndërtuesit me 300 euro kostot i bëjnë edhe rrugët, edhe taksën e bashkisë, sepse aq shkon kostoja, aq e ke marrëveshjen mes shoqatës së ndërtuesve dhe Drejtorisë së Tatimeve. Aq është kostoja e ndërtimit në Shqipëri. Ju doni luks, nuk e ditkam unë.”  


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *