Vendosni fjalën kyçe....

Shoqërimi i Kastriot Islamit, reagon policia: Kërcënoi punonjësit  i tha do ta shihni pas 25 prillit, zagarët e Ramës


Policia e shtetit ka reaguar lidhur me shoqërimin e ish-deputetit Kastriot Islami ditën e djeshme gjë e cila shkaktoi ilaritet në rrjetet sociale.

Islami madje pas daljes nga komisariati i akuzoi se e kishin keqtrajtuar uniformat gjatë shoqërimit.

Por çfarë thotë policia?

Në komunikatën saj mbrëmjen e sotme, Policia e Shtetit ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ishte Islami që ka keqtrajtuar punonjësit e policisë.

Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar.

E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët”-thuhet në njoftim.

Më tej, policia shton se Islami i ka ofenduar dhe i ka kërcënuar duke i thënë se do ta shohin pas 25 prillit.

Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës po ligjit”-thuhet në njoftim.