Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja e gatshme për vendosjen e tarifave tregtare ndaj SHBA-së


Bashkimi Evropian është gati të vendosë tarifa tregtare në vlerën 4 miliardë dollarë ndaj mallrave amerikane në vazhdën e konfliktit për subvencionet shtetërore ndaj prodhuesve të avionëve.

Gjatë një konference me ministrat e BE-së, Komisioneri për Tregtinë, Valdis Dombrovskis, tha të hënën se pala evropiane dëshiron t’i shmangë manovrat ndëshkuese.

Amerika, me lejen e Organizatës Botërore të Tregtisë, nga viti i kaluar po aplikon nga ana e vet 7 miliardë e gjysmë tarifa ndaj mallrave, si vera franceze, djathi italian, pijet dhe veshjet.

“Propozimi ynë qëndron, që të dyja palët të heqin dorë nga tarifat dhe të gjejmë së bashku një zgjidhje me anë të negociatave. Deri tani SHBA-ja nuk ka pranuar të tërhiqet.”

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmajer, ndau po ashtu bindjen se Gjermania dhe unioni europian kërkojnë t’i përmirësojnë marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.

Kjo shpresohet të arrihet pas transferimit të pushtetit nga republikani Donald Trump te presidenti i ardhshëm demokrat, Joe Biden, që ka premtuar qasje më pozitive me partnerët tregtarë.

Diplomatët europianë thonë se tarifat e tyre ndëshkimore pritet të rëndojnë mbi avionët e prodhuar në Amerikë, te disa produkte bujqësore dhe materiale ndërtimi, dhe te pije të caktuara freskuese e alkoolike.

Beteja mes Brukselit dhe Uashingtonit vijon nga viti 2004 kur pala amerikane akuzoi qeveritë europiane atëkohë se kishin mbështetur me subvencione prodhuesin francez të avionëve, “Airbus”, duke ndërhyrë padrejtësisht në konkurrencën me gjigantin e aeronautikës, “Boeing”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *