Vendosni fjalën kyçe....

Salianji për draftin e PS-së: Palaçollëk, do futen në Kuvend të korruptuarit e Rilindjes


Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka komentuar propozimin e PS-së për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në lidhje me hapjen e listave.

Salianji shkruan se propozimi i kryeministrit Edi Rama është për lista 100% të mbyllura, ndërsa shton se çertifikon frikën deri në palcë që kanë drejtuesit e Rilindjes.

Sipas tij, me propozimin e Ramës tentohet të sillen në Parlament të korruptuarit.

“Propozimi i Ramës për lista 100% të mbyllura është çertifikimi i frikës në palcë që kanë drejtuesit e Rilindjes se pas humbjes së pushtetit do të humbin dhe ndikimin në PS!

Me lista të hapura është votuesi ai që përcakton se kush bēhet deputet, kandidatët renditen sipas grumbullimit të votave të marra nga qytetarët dhe jo nga renditja e partisë! Nëse renditja e partisë është përcaktuese nuk ka hapje listash! Ky propozim rrëzon dhe propogandën se ndryshimet kushtetuese u bënë për të hapur listat.

Ky palaçollëk i propozuar i rrëzoi mbulesën e fundit dhe i nxorri qartë frikën e përballjes me zgjedhjet dhe qytetarët! Votimi me renditje pa asnjë diferencë nga zgjedhjet e kaluara tenton të sjellë në parlament të korruptuarit e Rilindjes! Fytyrat më të urryera nga qytetarët kërkojnë të imponohen nga Rama me marifet elektoral!“- shkruan Salianji.

PS pretendon se kërkon lista 100 % të hapura, por duket se ka gjetur mekanizmin për t’i mbyllur ato.

Në pikën e fundit të draft-propozimit të nxjerrë në Këshillin Politik dje, saktësohet se si do të kryhet renditja e kandidatëve fitues në zgjedhjet parlamentare, ku duket se rol primar do të ketë renditja e tyre nga Partia që do të dorëzohet në KQZ.

“Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas RI-RENDITJES FINALE TË KANDIDATËVE DUKE PATUR PËR BAZË TRE ELEMENTË: së pari, rënditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.” – thuhet në draftin e propozuar nga PS në këshillin politik. Pikë e cila është komentuar se bën që deputetët të mos dalin nga votat e publikut, por sipas listës së partive.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *