Vendosni fjalën kyçe....

Të hënën protestë para Kryeministrisë: Ktheni fëmijët shqiptarë nga Siria



Të hënën ardhshme, e cila është dita për nisjen e vitit shkollor, një grup aktivistësh do të protestojnë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara godinës së Kryeministrisë.

Protestuesit do të kërkojnë nga qeveria, që të kthejë nga Siria fëmijët shqiptarë të mbetur atje.

“Kanë kaluar rreth 7 vite, që nga koha kur fëmijë shqiptarë u morën me forcë nga prindërit e tyre për t’iu bashkuar shtetit që kërkonte të themelonte ISIS në Siri. Që prej kësaj dite për këta fëmijë ka nisur kalvari i dhimbshëm i vuajtjeve, i cili ende nuk po duket të ketë fund. Sot, rreth 50 fëmijë shqiptarë gjenden në mëshirën e fatit në kampet e drejtuara nga forcat kurde në Siri dhe shteti duket se nuk e ka prioritet kthimin e tyre në shtëpi.
Ju ftojmë të bashkoheni për të mbështetur përpara Kryeministrisë protestën tonë paqësore për riatdhesimin e fëmijëve nga Siria. Marrëzia e prindërve u mori fëmijërinë, le te bëjmë diçka së bashku për të mos lejuar edhe shkatërrimin e së ardhmes së tyre!”– thuhet në një njoftim në rrjetet sociale nga grupi organizor i protestës.

Në ditët e fundit, kemi dëgjuar disa histori në media për fëmijet e mbetur në Siri për shkak të prindërve që i kanë dërguar atje. Një rast i tillë është ai i Eva dhe Endri Dumanit, sot 14 dhe 12-vjeç, të cilët nëna e tyre i ka marrë me forcë në Siri 7 vite më parë.

Gjyshja e tyre Mendije Dumani që shkoi në Siri të kujdesej për ta, ka ndërruar jetë pak ditë më parë, duke i lënë motër e vëlla të vetëm në kampin e Al Hawl.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *