Vendosni fjalën kyçe....

Incidenti me studentët/ Veliaj: S’e di nga vijnë këta, në Tiranë nuk rrisim të rinj që besojnë tek qyli


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka folur për incidentin e djeshëm me një grup të rinjsh të “Lëvizjes për Universitetin”, të cilët i dëboi pasi ata iu ankuan për problemet me Kartën e Studentit dhe një sërë shqetësimesh të tjera.

Në një takim sot me drejtuesit e shkollave të mesme në kryeqytet, Veliaj tha se nuk e di se nga vinin këta studentë që sipas tij i kërkonin gjërat qyl, pasi në Tiranë nuk rrisin të rinj që besojnë tek qyli.

“Kisha dje dy raste: një grup të rinjsh që më thoshte pse s’jepni birra falas, si ata në Jalë, dhe një grup tjetër që po xhironte një kamera të fshehtë në zyrën time, më thoshte pse Karta e Studentit nuk jep kafe falas. A është reduktuar ambicia e të rinjve tanë në një birrë dhe në një kafe falas? Realisht, këtu kemi mbetur si komb? Që dikush që rritet në Shqipëri thotë: kush do ma japë qyl birrën dhe kush do ma japë qyl kafen?! Ne të Tiranës jemi ndryshe. Nuk e di se nga vijnë këta fëmijë dhe nga çfarë familjesh rriten, që duan që shteti t’u sigurojë birrën dhe kafenë falas, por unë besoj se Tirana është krejt ndryshe. Është vend me ambicie. Kemi çuna dhe goca që kanë fituar olimpiada, që kanë fituar start up-e, kemi çuna dhe goca të mrekullueshëm në teknologji të informacionit. Kemi djem dhe goca të mrekullueshme nga gjimnazet tuaja që na ndihmuan kur kishim rrjetin e shpërndarjes së pakove ushqimore. Tirana ha buk veç! Ne nuk rrisim të rinj që besojnë te qyli, ne rrisim të rinj që besojnë te puna, tek merita, tek talenti, tek vullnetarizmi”, deklaroi Veliaj.

Në videon e publikuar nga Lëvizja për Universitetin, studenti kundërshtonte deponimet e Veliajt duke i përmendur se Karta e Studentit nuk funksionon dhe nuk mund të blihen as libra dhe as abone me të. Por Veliaj mesa duket, edhe këtë e quan “qyl“. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *