Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet e koklavitura në Mal të Zi, a do arrijë Gjukanoviç ta mbajë pushtetin përballë opozitës pro serbe?


Vendi i vogël i Ballkanit me rreth 620 mijë banorë u drejtohet sot kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme.

Që prej shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia, vendi është udhëhequr nga presidenti Milo Gjukanoviç e partia e tij, PDS (Partia e Demokratëve Socialistë), por kësaj here misioni nuk premton të jetë i lehtë.

58-vjeçari kësaj here dijet të përballet përveç armiqve edhe me ish-aleatë të vjetër që janë kthyer në armiq. Ai i ka quajtur zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit ‘më të rëndësishmet në historinë’ e shtetit të vogël në brigjet e Adriatikut.

Për herë të parë që kur Mali i Zi votoi për t’i dhënë fund një bashkimi gati shekullor me Serbinë në vitin 2006, kisha e fuqishme ortodokse serbe ka zgjedhur një anë politike, duke mbështetur thirrjet e opozitës për një ndryshim të pushtetit. Vitet e fundit, partie  Gjukanoviçit është përplasur me mbështetësit e Kishës Ortodokse që ka ndikim të fuqishëm në vend.

Gjukanoviç tha në një mledhje të partisë në datën 24 gusht se zgjedhjet do vendosin nëse ‘Mali i Zi duhet të vazhdojë integrimin në BE ose të bëhet një shtet teokratik’.

Ai ka thënë gjithashtu se ndaj tij po zhvillohet një luftë e gjerë mediatike e politike për ta futur Malin e Zi nën hijen e Serbisë e Rusisë e për ta penguar vendin që të anëtarësohet në BE. Në vitin 2019, një gjykatë dënoi 14 persona (rusë, serbë e malazezë) për tentativë grusht shteti në vitin 2016.

Por Gjukanoviç nuk po lufton vetëm me Kishën Ortodokse Serbe.

I arratisuri Svetozar Maroviç, dikur një nga aleatët më të ngushtë të Gjukanoviç, theu heshtjen disa vjeçare këtë muaj duke u bërë thirrje qytetarëve që të votonin opozitën pro-serbe. Ai ndodhet në mërgim në Serbi, ku është arratisur nga një dënim për korrupsion që e pret në Mal të Zi.

Presidenti Gjukanoviç ka arsye të shqetësohet. Sondazhet nuk e nxjerrin si herët e tjera partinë e tij dhe kjo do të thotë se nuk do jetë e lehtë që presidenti e PDS-ja, një parti pro-perëndimore të marrin shumicën lehtësisht siç ka ndodhur herët e tjera. Opozita pro-serbe ka gjithashtu mbështetësit e saj dhe kërkon lidhje më të forta me Serbinë e Rusinë.

Pesë partitë që përfaqësojnë shqiptarët e Malit të Zi për herë të parë kanë formuar një koalicion, të quajtur ‘Lista shqiptare’ e do dalin bashkë në zgjedhjet e sotme. Ata shpresojnë që të kenë një rezultat pozitiv e të marrin më shumë se një deputet që kanëe aktualisht në parlamentin e Malit të Zi.

Liderët politike shqiptarë u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë masivisht koalicionin e partive shqiptare, duke bërë thirrje që të vijojnë bashkëpunimin me qeverinë aktuale për të vijuar me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Qendrat e votimit janë hapur që në orën 07:00 të mëngjesit e do qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00 të pasdites.

Votuesit duhet të mbajnë maska, distancë nga njëri-tjetri si dhe të dezinfektojnë duart para votimit. Rezultatet e para parashikohet të dalin rreth orës 22:00 të natës së sotme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *