Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi: Të shkarkohet Erion Veliaj, SPAK ta hetojë për kërcënimet ndaj gazetarëve


Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi kërkon nga SPAK-u që të nisë hetimet për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Vokshi kërkon shkarkimin e Veliajt, duke thënë se kryetari i Bashkisë i ka dërguar mesazhe kërcënuese gazetarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo thotë se SPAK duhet të hetojë Veliajn për dy veprat penale: shpërdorim i detyrës dhe pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur.

“Mesazhet kërcënuese të Erion Veliajt, të bëra publike dy ditët e fundit, përbëjnë prova ligjore të një akti të dënueshëm kriminal. Ato e nxjerrin në pah kryebashkiakun e Tiranës si një politikan mafioz, armik të lirisë së medias.
Gjuha e egër, denigruese dhe e urrejtjes ndaj një gruaje gazetare, mesazhet kërcënuese ‘se nuk ka për t’ia falur’ Beti Njumës pse u dha zë artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, provojnë se Erion Veliaj përbën një kërcënim të rëndë për fjalën e lirë, i gatshëm të eliminojë këdo që cënon pushtetin e tij, duke u thënë qytetarëve të vërtetën.”- shkruan Vokshi.

Sipas Vokshit, janë të ditura metodat e Erion Veliajt për t’u mbyllur gojën gazetarëve. Ato nisin sipas saj me dhurata të vogla për festa, udhëtime jashtë vendit, projekte të ndryshme të bashkisë, lejet e ndërtimit, licensat vendore, tjetërsimi i pronës publike për 1 euro deri tek ortakëria në koncesionin korruptiv të inceneratorëve.

Ajo shton: “Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimit penal ndaj Erjon Veliajt për kryerjen e të paktën 2 veprave penale: shpërdorim i detyrës dhe pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur.
Erion Veliaj duhet shkarkuar menjëherë dhe duhet vënë para drejtësisë.”

Reagimi i zonjës Vokshi vjen pak ditë pasi “Ora News” publikoi një bashkëbisedim midis pronarit të saj Ylli Ndroqit dhe kryebashkiakut Veliaj.

Ky i fundit në mesazhe dukej tejet i irrituar me gazetaren Beti Njuma, që sipas tij është përpjekur të ndryshojë përmbajtjen e lajmeve.

Sipas Veliajt, Beti Njuma i merr lajmet e gatshme nga Partia Demokratike dhe i boton ato me qëllim prishjen e imazhit të Bashkisë Tiranë dhe të tij.

Në mesazhe ishte e qartë që Ndroqi dhe Veliaj kishin patur një bashkëpunim që bashku, por që marrëdhëniet mes tyre ishin prishur.

Kujtojmë se biznesmeni Ylli Ndroqi është në konflikt ligjor me kryebashkiakun e Tiranës, të cilin e ka kallëzuar në SPAK se përmes shpifjes ka prishur në publik imazhin e medias së tij, RTV Ora, dhe gazetarëve të tij.
Ndërkohë SPAK-u nga ana tjetër ka sekuestruar pasuritë e Ylli Ndroqit, duke e akuzuar se i ka siguruar ato përmes parave që vinin nga krimi, pas dyshimeve për përfshirjen e tij në trafikun e lëndëve narkotike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *