Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump ndërpret konferencën me gazetarët


Presidenti amerikan Donald Trump është larguar papritmas nga një konferencë për mediat, pasi një agjent i Shërbimit Sekret e lajmëroi për disa të shtëna me armë që u qëlluan jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Agjenti doli në skenë kur Trump po fliste për gazetarët dhe i pëshpëriti në vesh.

Trump u dëgjua të thoshte “Oh! Çfarë po ndodh?” dhe la dhomën.

Presidenti u kthye nëntë minuta më vonë për të thënë se situata ishte nën kontroll dhe se një njeri ishte qëlluar.

Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai besonte se Shërbimi Sekret i SHBA.-së kishte qëlluar një të dyshuar, i cili ishte i armatosur.

Ai tha se nuk e dinte nëse personi kishte ndonjë synim të keq ndaj tij.

“Mund të mos ketë ndonjë lidhje me mua.”– tha presidenti, citon BBC.

Trump pranoi se ishte një situatë e pazakontë, por vlerësoi profesionalizmin e Shërbimit Sekret Amerikan.

Një gazetar e pyeti Trump nëse ishte tronditur nga ngjarja.

“A dukem i tronditur?”- u përgjigj ai. Më pas shtoi: “Është për të ardhur keq që kjo është bota, por bota ka qenë gjithmonë një vend i rrezikshëm. Nuk është diçka që është unike.

Bota ka qenë, nëse shikoni mbrapa ndër shekuj, bota ka qenë një vend i rrezikshëm, vend shumë i rrezikshëm dhe do të vazhdojë besoj, për një periudhë kohe.”

Trump u tha gazetarëve se ishte shoqëruar në Zyrën Ovale jashtë dhomës së konferencave gjatë incidentit.