Vendosni fjalën kyçe....

Debatet e vendimit të fundit të Erdoganit, Hagia Sophia kthehet në xhami


Vendimi i fundit i presidentit të Turqisë, Erdogan, për kthimin e Hagia Sophias (Stamboll) në xhami, ka ngjallur jo pak debate në mbarë botën, sidomos në rrethet e besimeve fetare.

Ndërsa Erdogan dhe përfaqësues të besimit Islam e mbështesin këtë lëvizje, përfaqësuesit e besimit të Krishterë e kanë kundërshtuar ashpër këtë lëvizje të fundit të Turqisë.

Pak histori

Hagia Sophia është ndërtuar në vitin 537 gjatë periudhës së perandorit bizantin, Justiniani I. Ajo konsiderohet si mishërimi i arkitekturës bizantine dhe ndërtimi i kësaj katedraleje zgjati 5 vite.

Deri në vitin 1204 ajo ka shërbyer si katedrale bizantine (537-1054) e katedrale ortodokse greke (1054-1204).

Në 1204 u shndërrua në katedrale katolike romake deri në vitin 1261 kur u kthye sërish në katedrale ortodokse greke deri në vitin 1453, kur Kostandinopoja (Stambolli i sotëm) u pushtua nga Perandoria Osmane nën Mehmetin e dytë i njohur ndryshe si Mehmet Pushtues.

Nga 1453 deri në vitin 1935 ajo shërbeu si xhami myslimane. Në vitin 1935 me vendim të presidentit të atëhershëm, Mustafa Qemal Ataturk, ajo u shndërrua në muze si pjesë e një sërë reformash sekulariste të presidentit.

Në korrik të vitit 2020, Këshilli i Shtetit, që është gjykata më e lartë në Turqi vendosi rikthimin e saj në xhami myslimane.

Reagimet

Presidenti i Turqisë e mbështeti vendimin e marrë nga Këshilli i Shtetit duke thënë se është pjesë e të drejtës dhe dëshirës së kombit turk që Hagia Sophia të rikthehej në një vend adhurimi për myslimanët.

Ai kritikoi reagimet kundër këtij vendimi duke thënë se personat që nuk kishin bërë asgjë për të luftuar armiqësinë ndaj Islamit në vendet e tyre po sulmonin Turqinë për të ushtruar mbi të drejtën e saj sovrane.

“Ne e morëm këtë vendim jo duke shikuar se kush e tha atë, por duke parë se cilat janë të drejtat tona dhe çfarë kërkon kombi ynë. Personat që nuk kanë bërë asgjë për të luftuar armiqësinë ndaj Islamit në vendet e tyre sulmojnë Turqinë për të drejtën e saj sovrane. Ne kemi hyrë në një periudhë në të cilën merremi me kukullabërësit, jo kukullat. As organizatat terroriste, as axhendat joproduktive apo kurthe të tjera nuk do të funksionojnë.” – pohoi presidenti.

Kundër vendimit të Turqisë për kthimin e Hagia Sophias ka patur reagime të ashpra. Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo i bëri thirrje Ankarasë që të vijonte ta ruante Hagia Spohian si muze si një shembull të angazhimit për të respektuar traditat e besimit dhe historinë e ndryshme që ka kontribuuar në Republikën e Turqisë dhe për të siguruar që do jetë e arritshme dhe e vizitueshme për këdo.

Reagim të ashpër ka pasur edhe Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Ekumenikal i Kishës Ortodokse të Lindjes, Bartholomew I dhe kreu i Kishës Greke, Ieronymos II.

Ata kanë theksuar se “shndërrimi i Hagia Sohias në një xhami do të zhgënjejë miliona të krishterë nëpër botë dhe do t’i ndante muslimanët dhe të krishterët teksa ajo ka qenë një vend adhurimi për të dy.”

Kundërshti të mëdha lidhur me këtë vendim ka pasur edhe nga biznesi e kompanitë turistike si dhe autoritetet e Stambollit. Ata druhen se ky vendim do pengojë ardhjen e vizitorëve.

Vlerësohet se Hagia Sophia është pika turistike më e vizitiuar në Stamboll me 3.7 milionë vizitorë në vitin 2019.

Po kështu shqetësim kanë shprehur edhe historianë e ruajtës të trashëgimisë kulturore të cilët i druhen prishjes së mosaikëve mesjetarë që kanë pjesë e zbukurimeve të brendshme të Hagia Sohias mes të cilëve vizatimet e Krishtit, Virgjëreshës Mari dhe Gjon Pagëzorit.

Me kthimin e saj në xhami në vitin 1453 mozaikët ishin mbuluar e me kthimin e saj në muze, ishin zbuluar sërish.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *