Vendosni fjalën kyçe....

Sot përfundon gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, Manastirliu: Masat që do mbeten në fuqi


Sot përfundon gjendja e Fatkeqësisë Natyrore në vend, dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dalë në një deklaratë për mediat për të treguar se si do procedohet tani me përpjekjet për frenimin e pandemisë së COVID-19 dhe masat që do mbeten në fuqi.

Të gjitha masat mbeten në fuqi

“Dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar në secilin prej jush për zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor.

Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballjen me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon ende të jetë në gjendje epidemie, si pasojë e situatës së shkaktuar nga Sar-Cov 2, që do të thotë se do vijojnë të jenë në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes së epidemisë.

Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet, do vijojë të mbetet gjithashtu karantinimi i personave të konfirmuar me COVID-19, dhe të gjitha masat në fuqi për të kufizuar përhapjen e këtij infeksioni. Strukturat e Task Forcës anti-Covid do jenë të angazhuara 24 orë në 7 ditë të javës në të gjithë territorin, në kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do konsiderohet kërcënim për jetën e popullatës.”– tha Manastirliu.

Gati spitali Covid-4

Manastirliu deklaroi se nëse kemi rritje të rasteve me koronavirus, do të hapet edhe COVID 4. Ajo thotë se janë hartuar të gjitha skenarët në rast të shtimit të rasteve.

“Gjatë këtyre tre muajve ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi siguruar stokun e materialeve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, kemi rritur numrin e pajisjeve të nevojshme biomjekësore për trajtimin e pacienteve dhe kemi siguruar terapitë e mjekimit pa asnjë mungesë.

Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.”– tha ajo.

Rihapet Transporti Publik

Manastirliu dha lajmin edhe për hapjen e Transportit Publik. Ajo tha se maska do jetë e detyrueshme si për punonjësit e shërbimit të transportit publik, ashtu edhe për qytetarët.

“Në fund të këtij komunikimi, dua t’ju informoj për vendimin e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për transportin publik.

Komiteti Teknik i Ekspetëve vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik, pra do të vijoj transporti publik ndërqyetetas dhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle të veçanta të cilat tashmë janë të miratuara dhe aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të theksoj se përdorimi i maskës gjatë udhëtimit si për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik do të jetë i detyrueshëm. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet mosrespektim i këtyre masave dhe rregullave të vendosura që janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe për të mos lejuar përhapjen e SARS-COV2.”– tha Manastirliu./ Hashtag.al