Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo


Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare,  studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo.

Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë (leucemi akute) dhe ishte nën kurim të vazhdueshëm, por këtë mëngjes ai nuk mundi dot ta vazhdonte më tutje këtë betejë.

Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor të vitit 1949 në qytetin e Durrësit, në një familje me origjinë nga Libohova.

 Në Libohovë ai mori arsimin fillor ndërsa studimet e larta i kreu në vitin 1971 në degën Gjuhë-Letërsi, në Universitetin e Tiranës.

Ai e nisi punën si redaktor letrar në gazetën “Drita”, më pas si mësues. Në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Në 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më pas u largua nga politika dhe në vitet 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Vetëm pak ditë më parë, Zeqo tha intervistën e tij të fundit ku foli lidhur me Reformën Zgjedhore dhe marrëveshjen e firmosur mes palëve.

 “Për mua është një katastrofë, pavarësisht anës propagandistike që bëjnë ndërkombëtarët, kjo është një marrëveshje, që ruan përmasat e ndryshimit të kobshëm, që ndodhi në vitin 2008, pasojat tragjike po i ndiejmë edhe sot”, shprehet Zeqo në një intervistë për Report TV.

Ndërhyrjen e ndërkombëtare për Reformën, profesori nuk e gjen me vend. Ai mendon se ne SHBA-n e kemi një aleat të madh, por nuk ka arsye që të ndikojë në politikën tonë të brendshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *