Vendosni fjalën kyçe....

Maturantët njoftojnë protestë para Ministrisë së Arsimit, nesër në 11:00


Maturantët kanë lajmëruar për zhvillimin e një proteste ditën e nesërme.

Protesta është njoftuar për në orën 11:00 të paradites. Ata kërkojnë rishikimin e provimit të Gjuhës Shqipe e të Letërsisë.

Ata kërkojnë gjithashtu rivlerësimin e provimeve dhe uljen e kufirit për notën 9 e 10.

Ministria e Arsimit nga ana e saj  në një reagim ka deklaruar se provimi nuk do përsëritet.

Zv.ministrja Guga u ka bërë thirrje maturantëve që të përgatiten për provimet e radhës.

“Problematikat e ngritura, janë adresuar në QSHA. Së shpejti, analizë nga grup ekspertësh dhe njoftim publik për gjetjet. Si një ish-drejtore gjimnazi që kam qenë shumë afër jush dhe kemi ndarë e zgjidhur bashkë situata të ndryshme dhe sot në cilësinë e zëvendësministres, ju siguroj se problematikat që ju keni sjellë në lidhje me testin janë adresuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila do të analizojë në grup ekspertësh dhe do të bëjë njoftim publik për gjetjet. Nëse testi rezulton të ketë qenë kaq i vështirë sa shumë nxënës nuk kanë arritur ta realizojnë, ky cut-off do të lëvizë për të gjithë. Por, siç ju ka shpjeguar Qendra e Shërbimeve Arsimore, kjo bëhet në fund, kur analizohen rezultatet. Korrigjimi i testit në mënyrë digjitale është nje korrigjim jo-subjektiv dhe transparent që shmang çfarëdo gabimi të mundshëm dhe jep një rezultat më të shpejtë në kohë.” – tha ndër të tjera Guga në një videomesazh.