Vendosni fjalën kyçe....

A shkunden ndërtesat nga tërmeti me magnitudë 4.2? Përgjigjet sizmiologu


Mbi 6 muaj pas tërmeteve të nëntorit që shuan 51 jetë, në qarkun e Durrësit dje u rikthyen disa lëkundje tektonike duke gjeneruar frikë tek banorët. Lëkundjet u ndjenë edhe në Tiranë e qytetet përreth.

Mirëpo sipas sizmiologut Rexhep Koçi, nuk ka vend për panik. Ndërsa ishte i ftuar në programin “Ditë e Re” në televizionin “Ora News”, sizmiologu tha se tërmetet me magnitudë 4.2 si ai i djeshmi, nuk janë të një kategorie të tillë që mund të shkundin ndërtesat.

”Dje ka pasur që në orët e para të mëngjesit një riaktivizim të zonës së tërmetit të 26 nëntorit. Ka nisur riaktivizimi me një tërmet me magnitudë 3.7. Pastaj ka patur disa pasgoditje të vogla, më tej një periudhë qetësie deri në orën 17:20 është gjeneruar një tërmet me magnitudë 4.2.

Shqipëria është vend me aktivitet sizmik, por zona që ne po flasim sot është goditur nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, dhe periudha që kemi jetuar nga 26 nëntori e deri më sot ka qenë një periudhë post tërmetore që ka gjeneruar tërmete të mëdhenj në numër por të vegjël përsa i përket fuqisë.

Tërmeti është regjistruar në orën 17:20, ka qenë në zonën e Ishmit në afërsi të fshatit Kuraten, me një thellësi të vogël 6 kilometër. Ne nuk i konsiderojmë tërmetet me magnitudë 4.2 si tërmete që mund të shkundin godinat. Është e vërtetë që njerëzit e kanë përjetuar keq atje tërmetin e 26 nëntorit sepse pati viktima, dëme të shumta, por tërmeti i djeshëm nuk ishte i ishte i asaj kategorie.”– shprehet sizmiologu i njohur.