Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se 59-vjeçari me origjinë nga Puka që ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, ka qenë në koma dhe ka vdekur si pasojë e hemorragjisë cerebrale e jo për shkak të Covid-19 edhe pse dje ka rezultuar bartës i virusit, por pa simptoma të tij.
Sipas institucionit në fjalë, ka nisur një hetim epidemiologjik pasi një infermiere e spitalit të Shkodrës ka rezultuar pozitive me Covid-19.
Nga rezultatet e testimeve të kryera në spitalin e Shkodrës, në 10 pacientë të shtruar që kanë qenë në kontakt me infermieren e infektuar, kanë rezultuar 4 pacientë të prekur, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon Covid-19.
Njëri prej tyre, 59-vjeçari me inicialet M.S. ka ndërruar jetë, ndërsa tre pacientë të tjerë që janë bartës të Covid-19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet në Tiranë.