Vendosni fjalën kyçe....

Nga e hëna kemi lehtësime, Rama: Marketet hapur deri në 17:30


Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se duke nisur nga e hëna, do të ketë një lehtësim të masave shtrënguese, që janë marrë për frenimin e koronavirusit në vend.

Rama tha se nga e hëna do të zgjatet fasha orare deri në orën 17:30 për shërbimet ushqimore, farmaceutike dhe bankare.

Po ashtu ai thotë se nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual, masat lehtësuese do të zgjerohen brenda javës së ardhshme, duke u dhënë mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik.

Rama thotë se ky vendim vjen pasi kurba e infeksionit në ditët e fundit ka pësuar ulje të ndjeshme. Ai thotë me optimizëm se fundin e muajit maj e sheh si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me “armikun e padukshëm”.

NJOFTIMI I RAMËS

Në kushtet kur kurba e infeksionit është më e ulët se pritshmëria jonë më optimiste, si rezultat i masave të forta që kemi marrë në kohën e duhur dhe rezistencës fantastike të popullit në unitet me shtetin;

Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuar natyrisht;

Në kushtet kur duhet të përballojmë dyzet ditë shumë të rëndësishme, për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës sonë të përbashkët, duke u hapur me kujdesin më të madh e me disa hapa shumë të matur, duke vendosur njëkohësisht masa të rrepta penale për shkelësit, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut;

Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30.

Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme (nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual) mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik.

Do të miratojmë javën që vjen në parlament risitë e kodit penal / rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë.

Do të përgatisim brenda javës tjetër rregulloren e standardeve bazë të sigurisë për njësitë ekonomike të shërbimit që do të hapen në javët e mëtejshme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *