Një pacient me koronavirus në Kosovë, është larguar ditën e djeshme nga spitali dhe policia u detyrua ta kërkonte.
Siç shkruan gazeta Zëri, pacienti i moshës 51-vjeçare kishte kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente të QKUK-së rreth orës 11:00 të ditës së hënë, pasi që kishte marrë lëndime të krahut gjatë punës.
Por, me të mbërritur në Emergjencë, përveç thyerjes së krahut, mjekët kishin vërejtur tek ai edhe shenja se mund të ishte prekur me Covid 19.
Mjekët e emergjencës e kishin izoluar në dhomat e veçanta, i kishin marrë dhe mostrën për të vërtetuar nëse e kishte virusin në trupin e tij e dje rezultatet dolën pozitive.
Mirëpo ky person nuk i kishte pritur rezultatet dhe kishte ikur nga dhoma e veçantë ku po mbahej, edhe pse në korridoret e Emergjencës kishte pasur zyrtarë policorë.
Mjekët e kishin lajmëruar policinë e Kosovës se personi në fjalë nuk gjendej në Klinikë.
“Tek ne erdhi ai pacient. Ne ishim duke e trajtuar, dyshuam se po ashtu ishte prekur nga Covid 19. E izoluam rastin por ai në mbrëmje kishte ikur nga klinika”, thanë mjekët e Emergjencës për Gazetën Express.
Policia u vu në kërkim të 51-vjeçarit nga Malisheva dhe e gjeti atë. Tanimë ai është vendosur në izolim dhe po gjurmohen edhe kontaktet e tij.