Vendosni fjalën kyçe....

Foshnja në Çikago ndërron jetë pasi konfirmohet me Covid-19


Një fëmijë më i vogël se një vjeç ka ndërruar jetë në një spital në Çikago, pasi kishte rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin.

Kjo besohet të jetë vdekja e parë e një foshnje e shkaktuar nga pandemia. Mirror shkruan se lajmi u konfirmua nga Departamenti i Shëndetit Publik në Illinois, i cili nuk dha ​​detaje të mëtejshme mbi tragjedinë.

“Asnjëherë nuk ka pasur një vdekje të lidhur me COVID-19 te një foshnjë. Një hetim i plotë është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e vdekjes”- tha drejtori i IDPH, Dr. Ngozi Ezike.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës. Nëse jo për të mbrojtur veten tonë, për ata që na rrethojnë.”

Illinois ka raportuar gjithsej 3,491 raste me Covid-19, mes të cilëve 47 viktima. Numri i rasteve në Shtetet e Bashkuara i eklipsoi ato të Kinës dhe të Italisë të enjten. Deri të shtunën, numërohen 119.327 të infektuar e të paktën 1.992 vdekje.