Vendosni fjalën kyçe....

Mos u bëj budalla, rri në shtëpi


Nga Elton Koritari

Ndërgjegjësohu!

Ditët e para janë të skeptikëve. Të teoristëve të “është një grip”. Të patriotëve të rakisë. Dhe sidomos të cinikëve të Facebook-ut.

Pastaj vijnë vdekjet e para, por duken gjithsesi të largëta, sikur nuk janë tek Zogu i Zi apo në Allias por në një botë tjetër. Fillojnë të ulen ankesat por përsëri i dëgjon si ushëtimë thashethemesh.

Klubet sërish plot por sikur i kanë mbaruar muhabetet. Vetëm ky grip dhe njerëzit me maska ua shpifën. Thashetheme.

Ja sa të mbarojë. Jeta vazhdon. Këtu do jemi, Shqipëria nuk është Kina.

Pastaj fillojnë vdekjet masive, dy komshinj ne reanimacion, tendat jashtë spitaleve, ushtria në rrugë.

Fillon qetësia. Por është vonë.

Sot fillon java e tretë që në Milano jemi në izolim. Sot nuk mund as te largohemi për më shumë se 500 m nga shtëpia, kemi harruar tashmë drekat, kafet, miqtë, familjarët. Jetën siç e jetoni ju.

Të duket çudi?

Të ishte vetëm kaq. Sot disa spitale duhet të zgjedhin kë të shpëtojnë. Jo të gjithë fatmirësisht por drejt asaj po shkojmë çdo orë më shumë. Probabilisht kush ka sëmundje kronike, kush është në moshë të madhe dhe kush është i dobët, ka pak shanse t’ia dalë dhe ky nuk është më një skandal i cili mund të na revoltojë. Sot ka mijëra biznese të falimentuar, miliona në prag falimentimi.. Por sërish është diçka që na bën thjesht të heshtim. Ka prioritete të tjera. Ti revoltohu po deshe.

Nuk ështe e thënë që ky skenar të përsëritet në Shqipëri. Madje nuk duhet.

Problemi është që e ke vetëm ti në dorë. Ti vetëm. Jo Rama, as Meta, as Basha, as hoxha e as prifti. As doktori e as polici. E ke vetë ti, ja ti që do qeshësh me këtë status. Ti që je aktiv, që ke halle, pagesa, ti që nuk rri dot i izoluar. Se pi dot kafen në shtëpi, s’rri dot pa shoqërinë, pa dashnoren, pa birrën e pa ardhur vërdallë dy orë në ditë.

Njoh njerëz që me raste marrin edhe tre avionë në javë. Njoh njerëz që kanë biznese, njerëz që punojnë 6 ditë në javë nga 15 orë në ditë, që nuk i sheh kurrë të ndalojnë. Sot janë në shtëpi. Maksimumi shkojnë në punë kur e kanë të pamundur të ndalojnë dhe pastaj kthehen ne shtëpi. Vetëm në shtëpi.

Ej, mblidh mendjen. Ka ndaluar Milano… e ke ndonjë ide sa vrapon Milano? “Vrapi” i Tiranës para kësaj të Milanos është si një karrocë me gomerë në krahasim me një Ferrari. E megjithatë, ka fikur motorrët. Ka parkuar për të pritur të kalojë furtuna.

Shko në punë (nëse nuk bën dot ndryshe) dhe pastaj ktheu në shtëpi. Rri në shtëpi.

Pas pak ditëh, të gjitha problemet e sotme do të të duken një kujtim i largët. E gjithë jeta jote do të të duket një mirazh. Do kesh halle të tjera që as i imagjinon dot.

Më beso. Jo se më dhimbsesh ti. Më dhimbsen prindërit e mi. Prandaj po harxhoj kohë me ty që mbase më lexon nga ndonjë klub në bllok.

Nga Milano. Rri në shtëpi!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *