Pamje të rënda kanë qarkulluar ditën e djeshme, ku rojet bregdetare greke shihen duke sulmuar një varkë me migrantë.
Në pamjet e shpërndara nga autoritetet turke, një nga rojet mund të shihet duke e shtyrë varkën e migrantëve me një shufër metalike.
Migrantët dëgjohen duke bërtitur ndërsa një roje e përdor shufrën për t’i rrahur ata, ndërsa një tjetër gjuan në ajër.
Në një deklaratë për gazetarët, një zyrtar turk tha që rojet greke “kryenin manovra që synonin të fundosnin varkën prej gome”.
Videoja tronditëse vjen menjëherë pas raporteve se të hënën një fëmijë u mbyt kur një varkë që transportonte 48 persona u përmbys në brigjet greke. Nuk dihet nëse fëmija i mbytur ndodhej në varkën që shihet në videon e publikuar nga RT.
Deri më tani, Turqia i kishte ndaluar migrantët të kalonin në Greqi për shkak të një marrëveshje të nënshkruar me BE-në në vitin 2016.
Mirëpo pas përshkallëzimit të tensioneve në Idlib ku më shumë se 30 ushtarë turq u vranë nga një sulm ajror sirian, Turqia vendosi t’i linte migrantët të lirë të kalonin kufijtë.
Policia greke përdori gaz lotsjellës për të ndaluar migrantët që po përpiqeshin të kapërcenin kufirin tokësor të hënën.
Athina akuzoi Ankaranë se po i përdorte migrantët “si gurë për të ushtruar presion diplomatik.”