Vendosni fjalën kyçe....

Koronavirusi përhapet në Europë nga Italia


Disa vende europiane kanë njoftuar rastet e tyre të para të koronavirusit, e të gjitha duket se janë të lidhura me shpërthimin në rritje të virusit në Itali.

Austria, Kroacia dhe Zvicra thanë se rastet e tyre të para kishin të bënin me njerëz që kishin qenë në Itali. E njëjta gjë është lajmëruar edhe nga Algjeria në Afrikë.

Ndërkohë testi i parë pozitiv i virusit është regjistruar dhe në Amerikën Latine. Siç shkruan BBC, bëhet fjalë për një banor brazilian, i cili sapo ishte kthyer nga Italia.

Ditët e fundit Italia është bërë vendi më i prekur në Europë, me më shumë se 300 raste dhe 11 vdekje. Por fqinjët e Italisë kanë vendosur që mbyllja e kufijve do të ishte “disproporcionale“.

Ministrat e shëndetësisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Komisioni i BE-së kanë vendosur për mbajtjen e kufijve të hapur, në një takim të martën pasi rastet e reja të virusit u shfaqën në të gjithë Europën dhe në Italinë qendrore dhe jugore.

“Ne po flasim për një virus që nuk respekton kufijtë”– tha ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Homologu i tij gjerman Jens Spahn tha se fqinjët po e merrnin situatën “shumë, shumë seriozisht”, por pranoi “se situata mund të përkeqësohej para se të përmirësohet”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, nxënësit e shkollave që kthehen nga pushimet në veri të Italisë janë dërguar në shtëpi. Por Sekretari i Shëndetit, Matt Hancock tha që nuk kishte plane për të ndaluar fluturimet me Italinë, e cila tërheq rreth tre milionë vizitorë britanikë çdo vit.

“Nëse e shihni Italinë, ata i ndaluan të gjitha fluturimet nga Kina dhe tani janë vendi më i prekur në Europë”, tha Hancock.

Rastet e fundit në Europë

Austri, një çift i ri italian të cilët jetonin në Innsbruck në Tirol, u konfirmuan me koronavirusi. Njëri prej tyre ka punuar në një hotel, i cili është mbyllur. Shtëpia e çiftit është mbyllur gjithashtu.

Zvicra njoftoi se një burrë në vitet shtatëdhjetë të tij që jetonte në Ticino, në kufi me Italinë, ishte infektuar në Milano më 15 shkurt dhe tani ishte vendosur në izolim.

Një burrë në Kroaci që u kthye kohët e fundit nga Italia, u bë pacienti i parë i konfirmuar në Ballkan.

Në Tenerife të Spanjës, deri në 1.000 të ftuar u mbyllën në një hotel pasi një mjek italian dhe gruaja e tij rezultuan pozitivë për virusin.

Franca dhe Gjermania raportuan gjithashtu raste të reja që përfshinin njerëz që kishin qenë kohët e fundit në veri të Italisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *