Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi pret në zyrë ambasadorin Bucci: LSI e vendosur për të përfunduar Reformën Zgjedhore


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e ri të Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

Kryemadhi i uroi mirëseardhjen ambasadorit të ri dhe e konsideron Italinë si shtëpinë e dytë për mijëra shqiptarë që kanë emigruar atje.

“Prita në takim dhe i urova mirëseardhjen Ambasadorit të ri të Italisë në Shqipëri, Z. Fabrizio Bucci.

Italia është bërë shtëpia e dytë për mijëra shqiptarë që kanë emigruar atje ndër vite. Dy popujt tanë ndajnë histori, vlera, tradita dhe miqësi për të cilën do punojmë së bashku me Ambasadorin Bucci që t’i forcojmë më tej.

Italia është një partner strategjik i Shqipërisë, që i është gjendur pranë në ditë të vështira, e cila ka mbështetur proceset e demokratizimit dhe të konsolidimit të vendit si anëtar i NATO-s dhe është avokat për integrimin e saj në BE.”- shkruan Kryemadhi.

Në postimin që e shoqëron me fotot nga takimi, zonja Kryemadhi shpreh dhe angazhimin e LSI-së për Reformën Zgjedhore.

“I shpreha Ambasadorit Bucci angazhimin e plotë të LSI për të përfunduar sa më parë reformën zgjedhore dhe për të realizuar gjithë detyrimet e kushtet e hapjes së negociatave dhe integrimit të vendit në BE.

LSI është e vendosur dhe vullnetplotë për të realizuar me sukses reformat, që sjellin forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, rrisin efikasitetin në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, dhe zhvillojnë ekonominë për të garantuar mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët.

I shpreha Ambasadorit Bucci gatishmërinë e LSI për të çuar më tej marrëdhëniet shumëplanëshe të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë.”- përfundon Kryemadhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *