Vendosni fjalën kyçe....

Meta në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin: Anti-semitizmi luftohet me edukim


Kreu i Shtetit Ilir Meta, mori pjesë sot në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin, me ftesë të Presidentit të Izraelit, Reuven Rivlin.

Ky Forum u mbajt më 22-23 janar 2020 në qendrën përkujtimore të muzeut të Yad Vashemit në Izrael, me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit të Aushvic-Birkenaut, ndërsa kishte si temë kryesore “përkujtimin e Holokaustit dhe luftën kundër antisemitizmit”.

Në këtë Forum të rëndësishëm ishin të pranishëm mbi 45 liderë botërorë, udhëheqës fetarë dhe të mbijetuar nga Holokausti.

Në fjalën  e tij, Presidenti Meta u shpreh se antisemitizmi duhet të luftohet përmes edukimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në kuadër të të drejtave të njeriut si dhe qytetarisë botërore.

Antisemitizmi shoqërohet shpesh nga dhuna me bazë gjinore dhe ajo homofobike, racizmi dhe forma të tjera të intolerancës, që bie ndesh me parimet të respektimit të kulturave dhe dallimet mbi të cilat ndërtohen shoqëritë tona. Siguria e individëve dhe komuniteteve të shënjestruara nga antisemitizmi është thelbësore, sepse përndryshe ai mund të kontribuojë në krijimin e një klime helmuese të shfrytëzuar nga ekstremizmi dhe terrorizmi

Ashtu si të gjitha format e diskriminimit dhe intolerancës, antisemitizmi duhet të luftohet përmes edukimit, promovimit të dialogut, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në kuadër të të drejtave të njeriut si dhe qytetarisë botërore. Ky është edhe një imperativ i menjëhershëm i sigurisë si dhe përbën një detyrim afatgjatë edukues, për ta shndërruar vërtet përkujtimin në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, në një ‘Kurrë më’!”- tha ndër të tjera Presidenti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *