Vendosni fjalën kyçe....

Mustafa mesazh Kurtit: Gjej zgjidhjen për bashkëqeverisjen, ose formo qeverinë nëse i ke mandatet


Kreu i LDK-së, Mustafa, ka ripërsëritur gatishmërinë e forcës politike që drejton për marrëveshje bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen.

Ai i bën thirrje forcës tjetër politike të heqë dorë nga diskursi i deritanishëm dhe ta formojë qeverinë nëse i ka votat dhe mandatet, duke thënë se LDK-ja nuk kërkon lëmoshë por përgjegjësi në përputhje me mandatet.

‘Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të çertifikuara nga KQZ. Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë. LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend.’ – shkruan Mustafa.

Më tej Musafa shkruan më tej se afatet e datat nuk i cakton LDK-ja por Lëvizja Vetëvendosje, por ajo këmbëngul në formimin sa më shpejt të institucioneve, edhe nëse LDK-ja nuk do jetë pjesë e qeverisë.  

Ai thekson se edhe pse Vetëvendosje e mori kreun e Kuvendit, që me marrëveshje i takonte LDK-së, sërish gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë i takon Vetëvendosjes.

‘LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr ‘mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë. Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit. Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje. Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje.’ – mbyll reagimin Mustafa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *