Vendosni fjalën kyçe....

Basha pas takimit me përfaqësuesit e FMN-së: Opozita ka gati planin për të nxjerrë vendin nga kriza


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar në selinë blu.

Basha tha se u kishte shprehur atyre shqetësimin e ngritur nga PD-ja për miliona eurot që kryeministri Rama po u jep oligarkëve nëpërmjet koncesioneve e PPP-ve.

‘Me përfaqësuesit e FMN-së kemi ndarë shqetësimin e  thellë për këtë qeveri dhe dështimin e saj, shqetësim që u konfirmua edhe nga FMN. Një nga problemet kryesore që u shtrua janë qindra milionë dollarë, që në vend të shkojnë për shtresat në vështirësi, apo për pagat, pensionet, po përfundojnë në duart e 13 oligarkëve që kanë PPP-të, një skemë e pastër vjedhjeje.’ – tha Basha.

Më tej kryedemokrati tha se opozita e bashkuar ka planin për ta ndaluar rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ku ndodhet.

‘Opozita e bashkuar dhe PD kanë një plan të qartë për ta ndaluar dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Të ndalim menjëherë këto koncesione korruptive dhe t’i kthejmë paratë te studentët, te biznesi i vogël, te fermeri. Të kthejmë kushtet e përgjithshme të barazisë para ligjit, të konkurrencës, duke eliminuar barrierat për biznesin, duke eliminuar bandat e inspektorëve. Rritje e pensioneve vit për vit, mbështetje të politikave sociale, të politikave për arsimin e lartë.’ – shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *