Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi mungon në takimin e Bashës e aleatëve me presidentin, çon Vasilin në vend të saj


Në Presidencë ka nisur takimi mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe aleatëve me presidentin Ilir Meta, pas ftesës së këtij të fundit për të diskutuar lidhur me krizën politike në vend.

Takimi ka nisur në orën 09:00, ku në Presidencë kanë mbërritur Basha me të gjithë aleatët, përveç kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kjo e fundit ka dërguar zëvendëskryetarin e partisë, Petrit Vasilin.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, presidenti Meta ftoi krerët e partive opozitare jashtë parlamentit në një takim, për shkak të situatës dramatike në vend siç e quan ai.

“Nisur nga situata dramatike, në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të papranueshme, ju ftoj juve dhe të gjithë kryetarët e Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejt”, thuhej në ftesën e Metës.

Nisma e presidentit për këto takime erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka patur një përplasje me maxhorancën lidhur me plotësimin me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku presidenti Meta dekretoi si anëtare Marsida Xhaferllarin, ndërkohë që KED dhe maxhoranca thonë se ky vend i takon Arta Vorpsit pasi ajo është e para në listë dhe presidentit i ka përfunduar afati 30 ditor që kishte në dispozicion për të zgjedhur.

Lidhur me këtë, Meta akuzon kreun e KED-së Ardian Dvoranin, që sipas tij nuk ka zbatuar rendin kronologjik të dërgimit të listave, duke çuar në përplasje mes Presidentit dhe Kuvendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *