Vendosni fjalën kyçe....

Me veshje si policë, arrestohen për drogë 5 persona në Korçë (VIDEO)


5 persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një operacioni të policia së Korçës të realizuar në bashkëpunim me Policinë kufitare dhe shërbimet Frontex.

Të dyshuarit e moshave nga 23-36-vjeç, akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Ata mbanin veshur rroba me mbishkrimin “Policia” nga pas, kur po tentonin sipas uniformave blu të trafikonin kanabis përmes kufirit të gjelbër, në fshatin Kurilë, në Devoll.

 Uniformat blu kanë sekuestruar një sasi prej 37.5 kilogramë kanabis, tre automjete të përdorura ngatë dyshuarit dhe rreth 18.550 Euro, si dhe veshje me mbishkrimin “Policia”e aparate celularë.

Detajet e policisë:

Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Kurila”.

Goditet një rast i tentativës së trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Arrestohen në flagrancë 5 shtetas dhe 2 të tjerë shpallen në kërkim.

Sekuestrohen 37,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 18.550 Euro, veshje me mbishkrimin “Policia”, si dhe tre automjete.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet Frontex, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi një mujor si edhe falë veprimeve të mirëorganizuara, kanë goditur një rast të tentativës së trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kurila”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

M.Z, 28 vjeç, banues në Korçë.

A.K, 30 vjeç, banues në Korçë.

K.N, 28 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë.

B.D, 36 vjeç, banues në Korçë.

D.P, 26 vjeç, banues në Elbasan.

Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit:

R.T, 23 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq (i dënuar më parë për “Vjedhje”).

M.Z, 31 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe armëmbajtje pa leje”).

Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë 37.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, duke u veshur me veshje të cilat mbanin mbishkrimin “Policia”, për ta pasur më të lehtë kalimin e sasisë së drogës nëpërmjet kufirit të gjelbër, në fshatin Kurilë, Devoll.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia prej 37,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, tre automjete të përdorura nga autorët e dyshuar në pronësi të shtetasve D.P; M.Z., dhe B.D; një sasi lekësh, 18.550 Euro, veshje me mbishkrimin “Policia” dhe aparate celularë.

Po vijon puna për kapjen e shtetasve R.T, dhe M.Z, për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si edhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, e ngelur në tentativë dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *