Vendosni fjalën kyçe....

Humbi në detin Egje, turistja ‘mbijetoi duke ngrënë ëmbëlsira’


Një turiste ka arritur të mbijetojë për dy ditë në det të hapur në afërsi të Greqisë, duke u ushqyer me ëmbëlsira të shkrira.

Turistja 45-vjeçare nga Zelanda e Re, e quajtur Kushila Stein, u shpëtua të dielën në detin Egje, në veri të Kretës.

Zn. Stein tha se ishte mbështjellë me qese plastike për të qëndruar ngrohtë.

Një marinare me përvojë, Stein vendosi një qese të kuqe në kokën e saj dhe përdori një pasqyrë për të tërhequr vëmendjen.

Siç shkruan BBC, pas  shumë orësh kërkimi, Rojet Bregdetare në Greqi e gjetën gruan rreth 55 milje në veri të Kretës, ishullit më të madh të Greqisë. Nëna e saj, Wendy Stein tha se trajnimi i së bijës për të mbijetuar në det ” i kishte shpëtuar asaj jetën”.

Si humbi ajo në det?

Zonja Stein po ndihmonte një burrë britanik, të identifikuar në media vetëm si Mike, të merrte një jaht nga Turqia jugore në Athinë.

Gjatë udhëtimit, Zonja Stein vendosi të lundronte me një varkë gome në ishullin Folegandros të premten.

Por gjatë kthimit të saj në jaht, një prej rremave të saj ra dhe erërat e forta e shtynë atë në det. Kur zonja Stein nuk u kthye në jaht, pronari raportoi zhdukjen e saj për autoritetet greke të shtunën në mëngjes.

Në operacionin e kërkimit dhe shpëtimit u angazhuan gjashtë anije, një helikopter dhe një dron nën ujë u nis nga rojet bregdetare.

Ndërsa zonja Stein ishte në det, ajo shkruajti në një anë të varkës emrin e nënës së saj dhe detajet e kontaktit, nga frika se mund të mos mbijetonte.

Por rojet bregdetare e gjetën atë të dielën në mëngjes në mes të Kretës dhe Folegandros. Zonja Stein u dërgua në spital, ku ajo u trajtua për dehidratim.

Kur u shpëtua, zonja Stein i tha të ëmës: “Më ka mbetur vetëm një ëmbëlsirë nënë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *