Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Kilit dorëzohet para 1 milionë protestuesve, shkarkon gjithë kabinetin


Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera është dorëzuar përpara protestave masive të ditëve të fundit dhe ka vendosur shkarkimin e gjithë kabinetit të tij, në mënyrë që të formojë një qeveri të re dhe të prezantojë reformat sociale të kërkuara nga protestuesit.

“I kam vendosur të gjithë ministrat e mi në dijeni për qëllimet që kam për të ndryshuar kabinetin, për t’u përballur me kërkesat e qytetarëve”, deklaroi presidenti Pinera, citon BBC.

Ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrë riorganizimi i qeverisë në Kili.

Më shumë se një milion njerëz u bashkuan në një tubim paqësor të premten në kryeqytetin e vendit, Santiago, duke bërë thirrje për drejtësi sociale.

Pinera tha se ai kishte dëgjuar kërkesat e bëra në rrugë nga qytetarët. “Ne jemi në një realitet të ri. Kili është i ndryshëm nga ai që ishte një javë më parë.”, tha kreu i shtetit.

Opozita ka kërkuar që përfundojë dhe gjendja e jashtëzakonshme e vazhdueshme. Të paktën 17 njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që kur filluan protestat kundër pabarazisë pak më shumë se një javë më parë.

Marshimi i së premtes i dha fund një jave përleshjesh të dhunshme midis aktivistëve dhe policisë. Protestat nisën fillimisht për shkak të rritjes së çmimit të tarifave të metrosë dhe vijuan kundër pabarazisë ekonomike në vend.

Kili është një nga vendet më të pasura të Amerikës Latine, por gjithashtu një nga më të pabarabartët. Vendi ka shënuar nivelet më të këqija të barazisë së të ardhurave mes 36 vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Presidenti Pinera njoftoi një paketë reformash që synojnë t’i japin fund protestave, përfshirë rritjen e pensionit bazë dhe pagën minimale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *