Vendosni fjalën kyçe....

Kush është rivali i Aldo Bares, iu sekuestruan 70 mijë euro e një makinë 100 mijë euro


70 mijë euro dhe një makinë me vlerë 100 mijë euro janë sekuestrua nga policia e Fierit. Sipas policisë, dyshohet se personi me iniciale J.S., i kishte vënë me veprrimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Pas kontrollit në banesë, personit në fjalë i është gjetur shuma prej 70 mijë eurosh dhe një mjet me vlerë 100 mijë euro. Bëhet fjalë për Julian Sulon, banues në Lushnjë, i cili njihet si rival i bandës së Aldo Bares.

Ai ka qenë një nga personat e shoqëruar si të dyshuar për masakrën në Lushnjë, ku u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares, Laert Haxhiut. Sulo u vetëdorëzua në polici pas vrasjes së dy të rinjve por u lirua më pas për mungesë provash.

Sulo është plagosur dy vjet më parrë, më 11 qershor 2016, pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh, në lagjen ‘Skënder Libohova’, në Lushnjë.

Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si ‘Arti i Braçes’ një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga ushtarët e Aldo Bares.

Sulo u qëllua me thikë rreth 20 herë dhe me leva aq sa u la si i vdekur buzë rruge dhe u shpëtua nga një kalimtar i rastit.

Sula nuk përmendi kurrë emrin e Aliçkos, por ky i fundit mori përsipër krimin dhe ndodhet në burg.

Njoftimi i policisë

Në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale, pas informacioneve të mara në rrugë operative se shtetasi J. S. merrej me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve dhe krimeve kundër personit, nga strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u ushtrua kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 70 000 euro dhe 1 automjet me vlerë rreth 100 000 euro.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” për shtetasin J. S., 39 vjeç, banues në Lushnjë. Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.