Vendosni fjalën kyçe....

Japonia thyen rekord me jetëgjatësinë, mbi 71 mijë persona janë mbi 100 vjeç


Japonia ka thyer sërish rekordin për numrin e personave që janë mbi 100 vjeç. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në vend jetojnë 71,238 njerëz që e kanë kaluar moshën 100 vjeç.

88.1% e këtij grupi përbëhen nga femrat, me një numër që arrin në 62,775, ndërsa meshkujt që kanë kaluar moshën 100, janë 8,463.

Jetëgjatësia për femrat në Japoni është 87.32 vjeç, ndërsa për meshkujt 81.25 vjeç.

Në vitin 1963, kur Qeveria japoneze bëri regjistrimin e parë, rezultoi se në vend jetonin vetëm 153 njerëz mbi 100 vjeç. Në vitin 1981 kjo shifër arriti në 1000, në 1998 në 10 mijë dhe në 2012 arriti në 50 mijë.

Japonezja Kane Tanaka është 116 vjeçe dhe mban rekodrin si gruaja më e moshuar në botë, ndërsa burri më i moshuar është Chitetsu Watanabe, 112 vjeç.

Kur u vlerësua për rekordin nga Guinness, Tanaka u shpreh: “Nuk mendoj se do të vdes së shpejti. Nuk kam menduar asnjëherë për këtë.”

Japonezët nuk jetojnë më gjatë sepse kanë gjene më të mira, por e gjitha ka të bëjë me mënyrën e ushtyerjes dhe stilin e jetesës.

Siç shkruan “Telegraph” në një artikull të 2017-ës, dieta e japonezëve është e ekuilibruar, përbëhet kryesisht nga peshq, ushqim deti, drithëra, perime dhe tofu.

Ushqimet e përpunuara që lidhen me një sërë çështjesh shëndetësore mungojnë në pjatat japoneze.

Kjo qasje e shëndetshme ndaj ushqyerjes reflektohet në shkallën e mbipeshës në vend, e cila është e ulët me vetëm 3,5 % të popullsisë. Obeziteti tani lidhet me gjithçka, nga sëmundjet e zemrës deri te diabeti dhe kanceri./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *