Vendosni fjalën kyçe....

PD i përgjigjet Cakajt: S’mbajmë përgjegjësi ne pse shkelni ligjin ju


Pas deklaratave të ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, se raporti i OSBE-ODIHR-it kritikonte më shumë opozitën se qeverinë për votimet e 30 qershorit, vjen një reagim nga Partia Demokratike.

Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm në PD Gazment Bardhi tha se nuk mbante opozita përgjegjësi pse
KQZ shkel ligjin, apo pse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor ishin nën presionin e qeverisë.

 “Për herë të parë në historinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike. Për herë të parë specifikohet se veprime dhe sjellje të qeverisë, institucioneve të tjera përfshi gjykatën dhe prokurorinë, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin. Për këtë nuk mund të jetë përgjegjëse opozita. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi pse KQZ ka shkelur ligjet e shtetit, pse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë qenë nën presionin e qeverisë, pse punonjësit e administratës u shantazhuan dhe kërcënuan. Raporti skanon të gjithë shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, raporti i OSBE nuk mund të ishte për opozitën sepse ndërkombëtarët nuk monitorojnë opozitën.

“Opozita kërkon vetëm dënim të kriminelëve, siç dëshmuan dosjet “184” dhe “339”. Rama jo vetëm që nuk është distancuar nga hajdutët e zgjedhjeve, por kryehajdutin e Dibrës e ka marrë në mbrojtje, duke e bërë kryetar të administrimit zgjedhor. Raporti nuk mund të ketë qenë më shumë për opozitën, siç u shpreh zëdhënësi i Ramës, pasi raporti nuk është për të monitoruar opozitën. Raporti nuk ka nevojë për interpretime, është i qartë dhe evidenton qartësisht përgjegjësinë e qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.”, vijoi Bardhi.