Vendosni fjalën kyçe....

Politika e SHBA kundër Kubës jep efektin, turizmi bie me 23%


Numri i turistëve në Kubë ra me 23.6% gjatë muajit Korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat më të fundit, që konfirmojnë kështu impaktin e politikës së re të administratës Trump.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundi kufizuan edhe më tej politikat shtrënguese për udhëtimet drejt ishullit të Karaibeve. Të dhënat treguan një rënie që në muajin Qershor, prej rreth 20% në terma vjetorë. Po atë muaj, Washingtoni zyrtar bllokoi anijet drejt ishullit, si dhe e bëri më të vështirë për amerikanët e thjeshtë për të udhëtuar atje.

Administrata Trump zhbëri kështu të gjithë politikën e administratës së mëparshme, atë Obama, sa i përket marrëdhënieve me Kubën. Shtëpia e Bardhë nën Presidencën Obama bëri çmos të rivendoste marrëdhëniet me Kubën.

Administrata pasardhëse ndërkohë ka shenjestruar dy pikat e vetme pozitive të Kubës; turizmin dhe investimet e huaja. SHBA po e lufton Kubën duke dëmtuar këta dy sektorë, në formë presioni për t’u reformuar, si dhe për të braktisur mbështjen ndaj Presidentit venezuelian, Nicolas Maduro.

Analistët shprehen se Trump po e përdor këtë fushatë edhe për qëllime elektorale, duke qenë se kërkon të rikandidojë në 2020. Florida është një prej shteteve që historikisht ka vulosur garën presidenciale, dhe nga ana tjetër strehon shumë kuban-amerikanë, të cilët e mirëpresin këtë politikë të Trump karshi ishullit.

Rënia e turizmit po dëmton rëndë edhe restorantet, Bed and Breakfast, deri edhe te taksitë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *