Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekoron Eleni Souranin: Shqiptarët dhe grekët historikisht krah për krah


Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi sot ambasadoren greke Eleni Sourani, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në prani të shumë ambasadorëve dhe përfaqësuesve të turpit diplomatik të akredituar në Tiranë, të ish-ministrave të Jashtëm dhe diplomatëve shqiptarë dhe personaliteteve të ndryshme të fushës, Presidenti i Republikës i dorëzoi Souranit titullin e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së spikatur diplomatike dhe kontributit të çmuar për avancimin e gjithanshëm dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helenike, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve tanë fqinj, si dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë”.

“Kisha kënaqësinë e veçantë të vlerësoja, Ambasadoren e Republikës Helenike në Tiranë, zonjën Eleni Sourani, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Aktiviteti diplomatik, përkushtimi dhe angazhimi i saj serioz kontribuan dallueshëm në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe në pasurimin e raporteve mes popujve tanë, veçanërisht në dobi të shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri. Ambasadore Sourani mbetet një mbështetëse e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian, forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit të vendit tonë.
Shqiptarët dhe grekët jetojnë historikisht krah për krah njëri-tjetrit si fqinj, ndaj na duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku për paqen, prosperitetin, stabilitetin në vendet tona dhe në mbarë rajonin, si dhe për të ardhmen e përbashkët në Europën e Bashkuar!”, thotë presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *