Vendosni fjalën kyçe....

‘Soreca u përpoq të legjitimojë rrëmbimin e pronës publike, deklarata e dëmshme e përtej kompetencave e statusit të tij’


Aleanca për mbrojtjen e teatrit i konsideron të pajustifikuar, të panevojshme e të dëmshme deklaratën e bërë sot nga ambasadori i BE-së, Soreca.

Në një reagim të sajin, aleanca thekson se kjo deklaratë e Soreca-s nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik në një nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë.

Më tej në deklaratë thuhet se Soreca u përpoq t’i japë legjitimitet një tenderi fiktiv e me fitues të përcaktuar dhe deklarimet e tij janë jashtë kompetencës së tij dhe përtej statusit diplomatik të tij.

Postimi i plotë i Aleancës për Mbrotjen e Teatrit

Pozicioni i Aleancës në lidhje me deklaratat e sotme të Ambasdorit të BE-së, Luigi Soreca.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron të pajustifikuar, të panevojshme dhe të dëmshme deklaratën e sotme të Ambasadorit të BE-së, z. Luigi Soreca. Deklarata nënkupton mbështetje për një procedurë të paligjshme dhe korruptive për rrëmbimin nga ndërtues privatë të një trualli publik në një nga zonat më të lakmuar të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, Ambasadori Soreca është përpjekur t’i japë legjitimitet një tenderi fiktiv, me fitues të paracaktuar, për një zhvillim privat që do të financohet nga para me origjinë të dyshimtë. Pohimet e Ambasadorit Soreca janë jashtë kompetencës së tij dhe përtej statusit të tij diplomatik.

Por mbi të gjitha, ato bien ndesh me interesin publik, shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë, për fuqizimin e të cilave taksapaguesit evropianë kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë qindra milionë euro.

“Ligji special” i teatrit shkel Konventën Aarhus për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendim-marrjen; shkel parimet kushtetuese të autonomisë lokale dhe të barazisë para ligjit; si dhe ligjet e prokurimit publik dhe të konkurrencës.

Ligji është apeluar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti, por mungesa e saj i ka dhënë pushtet absolut qeverisë të miratojë dhe zbatojë ligje antikushtetuese pa asnjë kontroll apo kufizim institucional.

Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë kanë luajtur rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndaj do të ishte e pritshme nga Ambasadori Soreca t’i bënte, sot, thirrje qeverisë që të ndalonte zbatimin e projektit të Teatrit deri në shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

Do kishte qenë gjithashtu shenjë e përunjësisë dhe përgjegjësisë së Ambasadorit ndaj shqiptarëve që ai të përpiqej të kufizonte sa të mundej pushtetin arbitrar që ka fituar Kryeministri, si pasojë e paralizimit të sistemit gjyqësor.