Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i KLP rrëfen sekretin: Për të luftuar korrupsionin duhen rroga nga 2500 euro


Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka deklaruar se për të zvogëluar mundësinë e korruptimit të prokurorëve të SPAK-ut, institucioni i drejtuar prej tij i ka propozuar qeverisë që të rrisë rrogën e anëtarëve të SPAK-ut nga 1500 euro në 2000 euro.

3 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi me 140 vota më 22 korrik 2016, Ibrahimi tregon për mënyrën si do ngrihen SPAK e BKH e si do funksionojnë.

Ibrahimi ka dhënë një intervistë për DË, ku ka sqaruar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e prokurorisë speciale.

‘Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK mund të bëhen viktima të korrupsionit. Por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP i ka propozuar qeverisë t’i rrisë deri në 2.500 euro.’ – ka thënë Ibrahimi për DË.

Sipas tij, SPAK pritet të nisë nga funksioni në muajin shtator, ndërsa në përbërje të tij nuk mund të ketë më pak se 10 anëtarë.

Me kalimin e vettingut të një pjese nga 15 kandidatët në garë, do bëhet edhe shpallja e ngritjes së prokurorisë speciale.

Ai ka theksuar se SPAK ka 3 karta të reja krahasuar me mënyrën si ka vepruar orrani i akuzës deri tani për të hetuar korrupsionin.

‘Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithҁka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund të vendoste  mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK  ka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve të KLP, gjë që vështirë të  arrihet në kushte normale.

Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore / hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për  Policinë e Shtetit  për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore.

Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK  hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.

Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.’ – shtoi ai.

*Intervistën e plotë të kreut të KLP-së, Ibrahimi, mund ta lexoni Këtu.