Vendosni fjalën kyçe....

Meta në Konferencë të Jashtëzakonshme: Zgjedhjet e 30 qershorit janë imagjinare


Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka dalë sot në një Konferencë të Jashtëzakonshme për mediat ku i konsideroi zgjedhjet e 30 qershorit si imagjinare. Ai e konsideroi vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor si një truk procedurial.

“Të nderuar qytetarë , gazetarë dhe përfaqësues të medias, më datë 1o qershor kam dekretuar shfuqizimin e dekretit për përcaktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe anulimin e datës 30.

Kjo vendimarrje synonte t’u mundësonte palëve kohën për të reflektuar për një zgjidhje mes palësh.

Kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjen publike të kryeministrit Edi Rama për dialog, që i kishte dërguar kryetarit të opozitës 7 letra të gjata publike.

Kuvendi miratoi një rezolutë parlamentare që mos të zbatohej dekreti i presidentin e Republikës edhe pse ishte publikuar në Fletoren Zyrtare duke u bërë i detyrueshëm për të gjithë.

Dje në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie kundër KQZ-së që e pengonte të ç’regjistrohej nga këto zgjedhje imagjinare. 

Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkes padisë të kësaj force politike për t’u çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare.

Të nderuar qytetarë, Presidenti i Republikës, e gjen me vend të sqarojë se Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak dekretin e presidentit, këtë tagër nuk ia njeh Kushtetuta.

Vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik qoftë për drekretin apo anulimin e datës së zgjedhjeve.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka efekt vetëm për palët në proces, organizatës Socialiste dhe aleatit të organizatës socialiste.

Vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk  procedurial, një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik, për të anatemuar indirekt vendimin e kreut të Shtetit, por nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit.

Ky vendim është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të Edi Ramës.”, tha Meta.

Kjo deklaratë e Metës vjen një ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e Idajet Beqirit, duke lënë në fuqi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe mos njohur dekretin e presidentit.

Në këtë deklaratë, Meta tha se ndaloi zhvillimin e zgjedhjeve moniste.

“Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake por pa dyshim besoj se lidhur me datën 30 qershor si zgjedhje kjo datë ka rënë nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të bëjë zgjedhje partiake unë nuk ndërhyj. Kjo të jetë e qartë brenda dhe jashtë vendit.”, tha Meta.

Meta iu përgjigj dhe pyetjes nëse do të ndërmarrë një vendim për shpërndarjen e Parlamentit, pas kërkesave të dërguara në KQZ, për numrin e deputetëve aktualë dhe shpërndarjen e tyre në zonat elektorale.

 Ai u përgjigj se do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi e përgjgjshmëri.

“Presidenti do të bëjë cdo veprim me shumë qetësi e përgjegjshmëri dhe do i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së republikës dhe interesave të saj” – u shpreh Meta.

Në fund të Konferencës Meta theksoi se në Shqipëria ka vetëm një institucion që vendos për zgjedhjet dhe ky është Presidenti i Republikës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *