Një polic në New York është vetëvrarë të premten me armën e tij të shërbimit, duke u bërë kështu i treti polic që vret veten në 9 ditë.
Efektivi 29 vjeçar vdiq jashtë departamentit të Policisë së New York-ut në Staten Island. Autoritetet nuk dhanë informacion rreth identitetit të oficerit.
Situata ka shqetësuar shumë policinë e New York-ut. Përfaqësuesi i Departamentit të Policisë së New york-ut, James O’Neill tha në një deklaratë për mediat: “Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Policët shpenzojnë aq shumë kohë nga ditët e tyre që të ndihmojnë të tjerët, por përpara se të ndihmojmë njerëzit që u shërbejmë, është e domosdoshme që së pari të ndihmojmë vetveten”.
O’Neill u kërkoi oficerëve të flasin me dikë dhe të kërkojnë ndihmë nëpërmjet burimeve të departamentit dhe e quajti “të domosdoshme” për kolegët që të kujdesen për njëri-tjetrin.
“Pranimi i ndihmës nuk është kurrë një shenjë dobësie – në fakt, kjo është një shenjë e forcës së madhe.”, tha O’Neill, citon NBC News.
Sipas autoriteteve, nuk rezulton që tre oficerët të kishin marrëdhënie pune mes tyre, as njohuri direkte, dhe vetëvrasjet janë kryer në zona të ndryshme të qytetit, gjithmonë me armën e shërbimit. Zëvendësshefi Steven Silks, 62 vjeç, ishte vetëm pak ditë larg nga dalja në pension kur u gjet i vdekur më 5 qershor në Queens.
Silks shërbeu departament për gati 39 vjet dhe u përshkrua si një nga policët “më të aftë dhe më të besueshëm” në departament, nga O’Neill javën e kaluar.
Detektivi i Bruklinit, Joseph Calabrese, 58 vjeç, u raportua i zhdukur ditën pas vdekjes së Silks, pasi makina e tij u gjet në Parkway Belt në Sheepshead Bay. Kalabrese u gjet më vonë në Plumb Beach.
Kalabrese ishte një detektiv vrasjesh në Bruklin dhe veteran i departamentit.