Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku i kërkon falje romëve për diskriminimin katolik


Papa Françesku i ka kërkuar falje romëve në emër të Kishës Katolike gjatë vizitës së tij në Rumani.

Në një takim me të rinjtë në ditën e fundit të vizitës së tij në Rumani, papa kërkoi falje për “të gjitha ato kohëra përgjatë historisë, kur ne ju kemi diskriminuar, keqtrajtuar ose ju kemi shikuar me përçmim”.

Njerëzit romë janë përballur me përndjekje në Evropë për shekuj me radhë. Mendohet se qindra mijëra njerëz janë vrarë gjatë Holokaustit.

Në ditët e sotme romët jetojnë kryesisht në Evropën jugore dhe qendrore dhe në Rumani përbëjnë rreth 10% të popullsisë së përgjithshme. Ata ankohen se luftojnë për të punuar për shkak të diskriminimit dhe shumë prej tyre jetojnë në varfëri.

“Kërkoj falje – në emër të Kishës dhe të Zotit – dhe kërkoj falje prej jush”, tha Papa Françesku në qytetin e Blaj.

“Indiferenca ushqen paragjykimet dhe nxit zemërim dhe fyerje”, tha Papa. “Sa herë gjykojmë me lehtësi, me fjalë thumbuese, me qëndrime që mbjellin urrejtje dhe ndarje!”

Kërkesa e papës për falje është pritur mirë nga komuniteti rom.

“Ky është një moment historik për mua dhe popullin tim”, tha për “BBC” Damian Draghici, deputet i Romëve në Rumani.

 “Unë shpresoj se ky mesazh do të ndryshojë qëndrimin e njerëzve dhe stereotipet kundër popullit tonë.”, vijoi ai.

Takimi me romët erdhi pas një ceremonie në Blaj ku Papa Françesku bekoi shtatë peshkopë të cilët u burgosën dhe torturuan gjatë sundimit komunist në Rumani.

Autoritetet i burgosën ata në vitin 1948 për tradhëti pasi refuzuan të konvertoheshin në krishterimin ortodoks. Të shtatë burrat vdiqën në izolim dhe u varrosën në fshehtësi.

Shtatë peshkopët ishin pjesë e kishës katolike Lindore , një grup fetar që praktikon ritualet e krishtera ortodokse, por njeh autoritetin e Papës.

Kur regjimi komunist mori pushtetin në Rumani pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, autoritetet përjashtuan katolicizmin lindor dhe kërkuan që besimtarët t’i ktheheshin ortodoksisë.

Historianët besojnë se mijëra rumunë u ekzekutuan nga autoritetet komuniste, shumë prej tyre u burgosën ose u torturuan pse kundërshtonin regjimin.

Qeveria totalitare u rrëzua në dhjetor të vitit 1989. Presidenti Nicolae Ceausescu dhe gruaja e tij u ekzekutuan në ditën e Krishtlindjeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *