Vendosni fjalën kyçe....

Tërmetet në Korçë, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e dëmeve


Emergjencat Civile kanë zbuluar bilancin e dëmeve nga tërmetet e njëpasnjëshme në Korçë më 1 dhe 2 qershor. Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes,  nga lëkundjet e tërmetit janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara.

“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara.

230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura nga EC dhe FA: 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafzës. Në Floq funksionon shërbimi shëndetësor 24 orë. 

Gjithashtu banorët janë furnizuar me ushqime dhe ujë, janë siguruar zonat e prekura me forca policore dhe deri më tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmetet, 7 prej të cilave të riparuara.”, thuhet në njoftim.

Ditën e djeshme në media u raportua dhe për të plagosur. Tërmetet me epiqendër në Korçë kanë lënduar 4 persona nga fshati Flloq të cilët fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën, pas transportit të shpejtë në qendrat shëndetësore.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ditën e djeshme ka patur plot 10 tërmete në zonën e Korçës dhe 10 të tjera më 1 qershor. Lëkundjet më të forta kanë ndodhur pasditen e 1 qershorit, rreth orës 18:50, ku një tërmet me magnidutë 4.4 goditi rreth 17 kilometra larg Korçës.