Vendosni fjalën kyçe....

Kosova kërkon heqjen e imunitetit për shtetasin rus të UNMIK


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk e komenton kërkesën e autoriteteve të Kosovës për heqjen e imunitetit të shtetasit rus, marrë parasysh se bëhet fjalë për proces gjyqësor në zhvillim e sipër, thekson misioni UNMIK në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë. UNMIK-u ka shtuar se është procedura e përgjithshme që kërkesat e tilla t’i përcillen Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për një vendim.

UNMIK-u thekson që në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin në Kosovë, i gjithë personeli i UNMIK-ut gëzon imunitet ndaj proceseve gjyqësore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar heqjen e imunitetit të shtetasit rus dhe punëtorit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK), i cili të martën, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, është ndaluar për shkak se ka marrë pjesë në barrikada.

Prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kërkesa, për heqjen e imunitetit, është paraqitur të mërkurën, në mënyrë që të niset procedura penale lidhur me veprën penale

“Për veprën penale ‘pengim i personit zyrtar në zbatimin e detyrës’ dhe ‘pjesëmarrje në turmë, që kryen vepër penale të huliganizmit’”, ka thënë Syla.

Misioni i UNMIK-ut, megjithatë, thekson që dy punëtorët e këtij misioni janë arrestuar derisa po i kryenin detyrat e tyre tëmbikëqyrjes dhe raportimit të situatës, në përputhje me mandatin e misionit. Autoritetet e Kosovës kanë theksuar që dy punëtorët e UNMIK-ut janë shoqëruar në polici , sepse kanë marrë pjesë në barrikada.

Por, në përgjigjen e UNMIK-ut, thuhet që “përderisa detajet po sqarohen ende,personeli i kyçur ka punuar në cilësinë zyrtare, kur janë arrestuar dhe shoqëruar”.

“Përveç kësaj, ekzistojnë pohime serioze që policia ka ushtruar dhunë kundër personave të identifikuar qartësisht të Kombeve të Bashkuara, gjë që i tejkalon standardet e arsyeshme. UNMIK-u, duhet që të marrë informacione adekuate nga organet e pushtetit, në kuptimin e arsyes së arrestimit të tyre “, thuhet në përgjigjen e UNMIK-ut.

Siç thuhet në këtë përgjigje, të dy punëtorët kanë marrë lëndime dhe i janë nënshtruar mjekimit.

Gjithashtu, në përgjigje shtohet se shtetasi rus është zyrtar për çështje civile me stazhin më të gjatë të stacionimit në zyrën e këtij misioni në Zubin Potok, përderisa personi tjetër, i nacionalitetit serb, është asistent në të njëjtën zyrë.

Shtetasi rus është liruar disa orë pas shoqërimit të tij në polici, ndërkaq që punëtori tjetër, serb i Kosovës, ende është në paraburgim.

Përndryshe, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, në bazë të Rregullores për statusin e personalit të UNMIK-ut dhe KFOR-it, ka të drejtë që të heqë imunitetin kujtdo në UNMIK, në qoftë se imuniteti, sipas mendimit të tij, do ta pengonte rrjedhën e drejtësisë dhe mund të hiqet pa prejudikimin e interesit të UNMIK-ut.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që të sqarojë rrethanat e pranisë së shtetasit rus, punëtor i UNMIK-ut, në barrikadën në afërsi të Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Barrikada në rrugë, në formën e drunjve, është vendosur nga banorët lokal në mënyrë që të pengohet kalimi i Policisë së Kosovës. Në atë kohë, ishte në vazhdim e sipër aksioni policor për arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj ka deklaruar që forcat e policisë “gjatë përpjekjes për t’i larguar barrikadat, për të arritur në cak, kanë hasur në një automjet të Kombeve të Bashkuara, në të cilin ka qenë një punëtor ndërkombëtar dhe një vendor i këtij misioni”.

“Arsyeja që ne i kemi marrë dhe i kemi shoqëruar deri në Polici, ka qenë pjesëmarrja në barrikada”, ka thënë Qalaj.

Shoqërimin në Policinë e Kosovës të shtetasit rus e ka potencuar të martën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Është i arrestuar edhe një rus, i cili është kamufluar në petkun e diplomatit, për të penguar Policinë e Kosovës në aksionin e tyre”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar që “institucionet e Kosovës do ta trajtojnë çështjen e ‘diplomatit’ rus në përputhje me konventat ndërkombëtare”.

“Kosova dhe vendet e rajonit janë të njoftuara për agjendën ruse për destabilizimin e rajonit tonë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Twitter.

Pas ndalimit, dy punëtorët e UNMIK-ut, shtetasi rus dhe ai lokal, janë dërguar në spital në Mitrovicën veriore për të mjekuar lëndimet, ndërkaq nga ambasada e Rusisë në Beograd dhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, kanë ardhur thirrjet për lirimin e tij.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, e ka quajtur aksionin e policisë në veri si “ndërhyrje”, “një provokim të Prishtinës” dhe “vendosje e kontrollit përmes dhunës”.

Shtetasi rus dhe punëtori i UNMIK-ut, Mihajil Krasnoshçenkov (Mikhail Krasnoshćekov), është liruar të martën, në orët e pasdites.

Milan Ivanoviq, drejtor i Qendrës shëndetësore në Mitrovicën veriore, ka thënë të mërkurën, në protestën e banorëve lokal në Mitrovicën Veriore, se Krasnoshçenkov, gjatë ndalimit, ka marrë “lëndime të rënda trupore” dhe se ai do të dërgohet në Akademinë ushtarake-mjekësore në Beograd, për kurim të mëtejmë.

Kush është Mikhail Krasnoshçekov?

Bazuar në profilin e tij në LinkedIn, Krasnoshçekov gjendet në Kosovë që nga viti 1998. Atëherë, që nga dhjetori i atij viti e deri në mars të vitit 1999 ka qenë pjesë e Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Pas luftës, që nga nëntori i vitit 1999, për më shumë se një vit ka punuar si Zyrtar për të drejta të njeriut në misionin e OSBE-së. Në vitin 2001, ai kalon në UNMIK dhe aty gjendet deri më sot.

Shënim: Fillimisht në artikull është publikuar gabimisht se kërkesa e autoriteteve të Kosovës për heqjen e imunitetit të punonjësit të UNMIK-ut është dërguar te selia e OKB-së për vendimarrje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *