Vendosni fjalën kyçe....

Kamerat kapin vrasësin e avokatit Gurra, e përshëndeti me dorë para se ta vriste


Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me vrasjen e avokatit Ravik Gurra në një lokal në qendër të Elbasanit.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, sipas gazetës “Panorama”, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij. Autori i vrasjes i është afruar avokatit te tavolina, dhe për të mos ngritur dyshime e ka përshëndetur me dorë.

Ai e ka qëlluar më pas me dy plumba pas koke me një pistoletë me silenciator. Autori ka qenë i maskuar me një kapele dhe për këtë arsye nuk është mundur të identifikohet.

E gjithë skena ka ndodhur shumë shpejt dhe as dëshmitarët nuk kanë mundur të bëjnë një identikit të tij. Autori ka përfituar nga errësira duke u larguar me hap të shpejtë dhe vetëm pak më tutje e priste një automjet tip “Benz”. Më pas dy personat e kanë braktisur makinën dhe djegur.

Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, ka punuar me çështjet që lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë.

Babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998.

Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën e quajtur “Gurra & D”,. Ai merrej kryesisht me çështje të emigrantëve shqiptarë atje.

Për shkak të punës së tij si avokat, policia dyshon se vrasja lidhet me detyrën e tij.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë.

Grupi hetimor ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Mes tyre dhe anëtarë të fisit Çapja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *